Bankat qendrore kudo në botë po ulin interesat - një përpjekje e përbashkët kjo për të parandaluar recesionin global.
Ky hap ndërmerret ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia botërore po hyn në një fazë rënieje të madhe dhe përballet me tronditjen më të rëndë të tregjeve financiare që nga vitet 30.
Rezerva Federale, ose Banka Qendrore amerikane e bëri njoftimin sot në mëngjes para hapjes së bursës së Uoll Stritit. Ajo tha se po e ulte interesin me 0,5 përqind për shkak të ngadalësimit të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik dhe uljes së rrezikut të inflacionit. Të njëjtën gjë bëri edhe Banka Qendrore Europiane si dhe bankat në Britani, Kanada, Zvicër, Suedi dhe Kinë.
Kryeministri britanik Gordon Braun e quajti këtë përpjekje të korrodinuar "një sinjal të rëndësishëm" se vendet e ndryshme të botës do të bashkohen për të zgjidhur problemet ekonomike. Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi tha se asnjë vend nuk mund ta zgjidhë i vetëm krizën financiare.
Shpresat e zyrtarëve janë që ulja e interesave do t'i bindë bankat të fillojnë të japin kredi përsëri, përndryshe bizneset do ta kenë të vështirë të mbijetojnë.//lk