Lidhje

Tregjet financiare vazhdojnë të jenë në rënie


Çmimet e aksioneve në tregjet e Azisë ranë sëtepërmi sot në hapje të bursave, pas shitjes masive të aksioneve dje në Uoll Strit, pasi investitorët mendojnë se ekonomia po shkon drejt ngecjes.

Indeksi i bursës së Japonisë, Niki, ra rreth 10 përqind, dhe ndoshta do të shënojë javën më të keqe në historinë e tij. Edhe bursat e Australisë dhe Koresë së Jugut ranë ndjeshëm në hapje.

Investitorët duket se nuk janë bindur që masat e marra kohët e fundit nga autoritetet në gjithë botën janë të mjaftueshme për të gjallëruar kreditë dhe për të shmangur ngecjen.Presidenti Bush ka në plan të bëjë në deklaratë mbi gjendjen ekonomike të vendit sot në mëngjes.

Dje, Kryetani i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se bota është në prak të ngecjes ekonomike globale, por parashikoi se ekonomia do të fillojë të mëkëmbet nga fundi i vitit 2009.

Në bursën e Nju Jorkut dje, shitjet massive të aksioneve sollën një rënie të mëtejshme prej 7 përqind të indeksit Dau Xhons, ose 675 pikë, duke përfunduar në 8570, shifra më e ulët në 5 vjet. Shumica e shitjeve u bënë dje vonë në një ditë me luhatje të ndjeshme. Dau Xhonsi u mbyll në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2003. Indeksi kryesor i bursës së Nju Jorkut ka rënë deri tani 37 përqind, ose më shumës e 5000 pikë që nga maksimumi i tij i arritur një vit më parë. Dejvid Gertz është aksioner në High Mark Funds

"Ne nuk duam që frika të përcaktojë drejtimin e tregjeve. Por ne kemi mbërritur në atë pikë ku sentimenti është bërë një faktor tepër vendimtar”.

Skot Nejshën i tregut të shkëmbimit në Çikago thotë se tregjet kanë mbetur të zhgënjyer nga që qeverisë do t’i duhen disa javë kohë para se të përdorë fondin e miratuar nga Kongresi prej 700 miliardë dollarësh për të blerë investimet në vështirësi.

"Ndërhyrja e qeverisë me 700 miliardë dollarë mund të jetë veprimi më i drejtë. Por nëse do të duhen 45 ditë që ajo shumë të hidhet në sistemin financiar, atëhere në të vërtetë ne mbetemi të bllokuar për 45 ditë”.

Zoti Nejshëm dhe zoti Gertz i bënë komentet e tyre në televizionin Blumberg.

Kjo ishte dita e shtatë radhazi që bursa e Nju Jorkut mbyllet me humbje. Çmimi i naftës bruto qendroi në 86 dollarë për fuçi dhe vlera e arit ra 20 dollarë për aunc, në 886 dollarë. Sot ministrat e financave të shtatë vendeve të industializuaramë të pasura të botës do të mbidhen për një takim të planifikuar më parë në Departamentin amerikan të Thesarit.

Në këtë takim pritet të diskutohet kriza e kredive që filloi në Shtetet e Bashkuara 14 muaj më parë dhe tashmë është përhapur në Evropë dhe në gjithë botën. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, i cili do të marrë pjesë në disa seanca të takimit, thotë se zyrtarët e financave do të diskutojnë mënyrat se si t’i gjallërojnë tregjet, në mënyrë që të rifillojë dhënia e huave normalisht.

"Ajo që është parë tek disa nga këto institucione financiare, edhe kur ato kanë patur një kapital të mirë bazë, ato nuk kanë patur likuiditete për të qënë të gjendje t’u përgjigjen kërkesave të njerëzve që kanë dashur të nxjerrin para nga sistemi”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Henri Polson, ka gjithashtu në plan të organizojë të shtunën një takim të posaçëm të ministrave të financave dhe të drejtuesve të bankave qendrore të 20 vendeve të industrializuara dhe vendeve në zhvillim. //iç//

XS
SM
MD
LG