Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë mbajnë sonte debatin e tretë dhe të fundit


Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama, mbajnë sonte debatin e tyre të tretë dhe të fundit. Gjatë ditëve të fundit, të dy kandidatët kanë shkëmbyer kritika të ashpëra ndaj njeri tjetrit.

Senatori Xhon Mekein bëri të njohura një seri hapash që do të donte të ndërmerrte, në se zgjidhet President, të cilat synojnë t’i vijnë në ndihmë klasës së mesme për të përballuar krizën.

Zoti Mekein tha se do t’i eliminojë taksat ndaj përfitimeve të papunësisë dhe se do t’i kërkojë qeverisë të marrë masa shtesë për mbrojtjen e bankave nga falimentimi:

"Kur unë të jem President, Departamenti i Thesarit do të garantojë 100 për qind të gjitha llogaritë me kursimet e njerëzve për një periudhë 6–mujore. Kjo do të qetësojë frikën e kuptueshme për falimentimin e bankavae dhe në të njëjtën kohë do të rikthejë gjykimin racional për drejtimin e tregut."

Kur mbeten vetëm tre javë nga zgjedhjet dhe zoti Mekein është prapa në anketimet e publikut, ai po përpiqet të gjejë mënyra për t’iu përgjigjur shqetësimit të votuesve për ekonominë, që është çështja kryesore e fushatës.

Në fjalimin e tij më të fundit, zoti Mekein hoqi dorë nga sulmet personale ndaj senatorit Obama. Në vend të kësaj taktike, zoti Mekein kujton tani në fjalime eksperiencën e tij si u burgosur lufte gjatë Luftës së Vietnamit dhe po u bën thirrje votuesve që të përpiqen me forcë për përfitimet e tyre:

"Unë e di se ç'do të thotë frikë, është sikurse një vjedhës që të vjen natën dhe të grabit fuqitë. Unë e di se ç’do të thotë mungesë shprese. Është si një armik që mund vullnetin tënd. Unë i kam ndjerë këto më parë dhe nuk do t’i lejoj më kurrë ato të përsëriten. Unë jam amerikan dhe zgjedh që të luftoj në jetë!"- tha ai.

Zoti Mekein u përqëndrua tek ekonomia, një ditë pas senatori Obama bëri të njohur planin e tij për të ndihmuar shtresën e mesme në Amerikës.

Edhe zoti Obama tha se do t’i hiqte taksat ndaj përfitimeve të papunësisë dhe se do të vendoste një moratorium falimentimi 90 ditësh, për shtëpitë që u merren njerëzve ngaqë nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë.

Zoti Obama tha gjithashtu se ai do të shkurtonte taksat për bizneset ato që të krijojnë vende të reja pune:

"Ky është një plan që fillon me një fjalë që është në mendjen e gjithkujt dhe që është e lehtë të shkruhet PUNË. Senatori Mekein mund të shqetësohet se ai mund t’i humbasë zgjedhjet, por unë shqetësohem për ju, që po humbni punën, shtëpinë dhe kursimet e gjithë jetës!"

Senatori Obama e mori një ditë pushim për t’u përgatitur për debatin e tretë dhe të fundit presidencial që zhvillohet sot. Në qendër të debatit, që do të mbahet në Universitetin Hofstra të Nju Jorkut, do të jetë ekonomia.

Debati mund të jetë një nga mundësitë e fundit për të ndryshuar trajektoren e garës presidenciale.

Sipas anketimeve të fundit, Senatori Obama udhëheq garën me zotin Mekein me 11 pikë. Veç kësaj, anketimet e zhvilluara nga Univesriteti Kuinipiak në Konektikat, tregojnë se zoti Obama udhëheq me diferencë të madhe garën me zotin Mekein në shtetet më të rëndësishme, si Kolorado, Uisconsin, Minesota dhe Miçigan.//lk

XS
SM
MD
LG