Zyrtarët irakianë thanë se kabineti po kërkon që t’i bëhen ndryshime një projekt-ligji për sigurinë, i cili ka të bëjë me praninë e trupave amerikane në Irak në të ardhmen.
Një zëdhënës i qeverisë tha se ministrat e mbledhur sot në Bagdat arritën në përfundimin se ndryshimet janë të nevojshme në mënyrë që ligji të ketë mbështetje në shkallë kombëtare.
Uashingtoni dhe Bagdati kanë muaj që përpiqen të arrijnë një marrëveshje e cila të lejonte trupat amerikane të qëndronin në Irak pas përfundimit të mandatit në fund të dhjetorit.
Zëdhënësi irakian tha se kabineti do të mblidhet përsëri për të bërë ndryshimet dhe për t’ja paraqitur ato zyrtarëve amerikanë.
Projekt-marrëveshja e arritur jvën e kaluar kërkon tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit 2011, në se Bagdati nuk kërkon të kundërtën.
Kjo marrëveshje i jep gjithashtu qeverisë irakiane autoritet të kufizuar për të ndjekur penalisht ushtarët amerikanë që kryejnë krime serioze jashtë bazave amerikane kur nuk janë në detyrë.//iç//