Lidhje

Shqipëri: KLD shqyrton shkeljet e 12 gjyqtarëve


Këshilli i Lartë i Drejtësisë po shqyrton 12 dosje gjyqtarësh me shkelje në detyrë dhe pritet të marrë masa ndaj tyre, në përpjekje për të rritur cilësinë e gjykimit në sistemin e drejtësisë. Në mbledhjen e radhës KLD diskuton shkarkimin e një gjykatëseje në Vlorë dhe një masë më të ulët disiplinore ndaj një gjyqtari në Mat.


Sipas drejtores së marrëdhënieve publike, Ana Shkëmbi, KLD po shqyrton në kohë të gjitha shkeljet disiplinore të gjetura nga inspektorët e vet dhe nga ata të ministrisë së drejtësisë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh angazhimin për shqyrtimin në vazhdimësi në çdo mbledhje të tij plenare, të të gjitha kërkesave për procedimdisiplinor të ardhura për shqyrtim. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë konkretisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave të Apelit: Tiranë,Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak” - tha zonja Shkëmbi.

Përfaqësues të qeverisë dhe të sistemit gjyqësor janë përfshirë prej disa ditësh në replika lidhur me ndërhyrjet në pavarësinë e drejtësisë. Kryeministri Sali Berisha ka vecuar në fjalimet e tij të fundit se është e pashpjegueshme që gjatë gjithë viteve të tranzicionit asnjë gjyqtar nuk është vënë përpara drejtësisë për korrupsion apo abuzime të tjera me detyrën.

Ndërkohë, janë duke u përgatitur projekt-ligje dhe regullore nga ministria e drejtësisë, të cilat po kundërshtohen nga shoqatat e gjyqtarëve si shkelje të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Sipas perceptimit të matur tëopinionit publik, korrupsioni në drejtësi është një nga dukuritë më të përhapura në të gjitha nivelet; gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë rryshfete të majme. Por, po aq shqetësuese shihen nga qytetarët edhe presionet që forcat politike dhe institucionet shtetërore ushtrojnë ndaj gjykatave për cështje të ndryshme. Kërkesat e shpeshta për kontrolle dhe presionet verbale mbizotërojnë aktualisht marrëdhëniet midis qeverisë dhe gjykatave e prokurorisë. //iç//

XS
SM
MD
LG