Lidhje

Ushtria amerikane u dorëzon forcave irakiane provincën Babil


Ushtria amerikane u dorëzoi forcave irakiane të sigurimit provincën Babil, dikur arenë luftimesh të ashpra, duke e bërë atë të 12-ën nga të 18 provincat e vendit që kalon nën kontrollin e Irakut.

Numri dy i ushtrisë amerikane në Irak, gjeneral lejtnanti Llojd Ostin, tha sot në ceremoninë e dorëzimit se rezultatet e arritura në vendosjen e sigurisë në Babil janë për t’u shënuar. Ai tha se numri i sulmeve ka rënë 80 përqind gjatë vitit të kaluar.

Një këshilltar irakian i sigurimit kombëtar tha se dorëzimi është provë se forcat e sigurisë në Babil janë tani në gjendje t’i kryejnë vetë detyrat e tyre.

Babili, që ndodhet në jug të Bagdatit dhe që ka marrë emrin nga qyteti i lashtë i Babilonisë, përfshin rajonin që më parë njihej si “trekëndëshi i vdekjes”.

E vetmja provincë e mbetur nën kontrollin amerikan në Irakun jugor është Wasiti, që kufizohet me Iranin dhe që mendohet se përmes saj kalojnë armët dhe luftëtarët e huaj.

Një zyrtar ushtarak amerikan tha se dorëzimi i kësaj province do të bëhet më 29 nëntor. //iç//

XS
SM
MD
LG