Lidhje

Kush e ka pushtetin në Rusi: Presidenti Medvedev apo Kryeministri Putin?


Kanë kaluar më shumë se katër muaj që kur Dmitri Medvedev mori postin e presidentit të Rusisë, por ende ngihet pyetja se kush e ka në fakt pushtetin në Rusi. Edhe para se të largohej nga posti, paraardhësi i zotit Medvedev, Vladimir Putin, u shpreh qartë se donte të qendronte në pushtet. Dhe siç pritej, Presidenti Medvedev e emëroi atë në postin e kryeministrit. Disa vëzhgues thonë se në këtë post, roli udhëheqës i zotit Putin në procesin e vendim-marrjes në politikë dhe ekonomi nuk ka ndryshuar që nga koha kur ai ishte president.

Në ekranet e televizionit në mbarë vendin, duket sikur Rusia ka një president të ri dhe energjik, i cili takohet me udhëheqës nëpër botë dhe bën deklarata të rëndësishme.

Paraardhësi i tij, tani në postin e kryeministrit, Vladimir Putin, shihet në televizion pa aq shpesh sa edhe zoti Medvedev. Analistët politikë thonë se është e vështirë të bësh dallimin mes mesazheve që të dy këta individë i transmetojnë vendit të tyre dhe botës.

Evgeni Volk është analist në zyrën e Moskës të Fondacionit Heritage, një organizatë kërkimore në Uashington.

"Duke parë politikën e brendëshme dhe të jashtëme të Medvedev-it, një gjë është e qartë, ato janë vazhdimësi të politikave të paraardhësit të tij, Vladimir Putin. Medvedev i përmbahet kursit të kontrollit shtetëror mbi zhvillimin ekonomik. Në politikën e jashtme të Rusisë, vihen re të njejtat përpjekje për ta bërë Rusinë një supetfuqi të re të të njejtit tip siç ishte Bashkimi Sovjetik”.

Kjo ambicje u duk qartë në muajin gusht gjatë fushatës së suksesshme ushtarake ruse kundër forcave gjeorgjiane në rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë të Jugut. Shumë shpejt pas dëbimit të forcave gjeorgjiane sëandejmi, Moska njohu zyrtarisht pavarësinë e këtyre dy rajoneve separatiste dhe deklaroi se trupat e saj do të qendrojnë atje.

Qëllimi i Rusisë është të zgjerojë sferën e saj të influencës, thotë Pavel Felghengauer, analist i pavarur ushtarak.

"Qëllimi ynë strategjik ishte krijimi i një zone të gjerë mbrojtëse, një sferë influence që të përfshijë të gjithë ish Bashkimin Sovjetik: Ukrainën, Bjellorusinë, trans-Kaukazinë dhe gjithë ish republikat e Azisë Qendrore. Kjo është zona që ne duam të dominojmë dhe nga e cila duam të largojmë influencën perëndimore. Për më tepër, asnjë nga këto vende nuk duhet të jetë anëtare e NATO-s. Ky nuk është thjesht një aneksim i vogël territori, siç është dukur, por qëllimi strategjik i Rusisë është krejt tjetër dhe shumë më i madh”.

Marrëdhëniet e Moskës me Shtetet e Bashkuara u acaruan së tepërmi pas fillimit të fushatës. Rusia e kritikoi ashpër administratën Bush për stërvitjen e trupave gjeorgjiane dhe e akuzoi Uashingtonin se kishte inkurajuar sulmin e Gjeorgjisë kundër Osetisë së Jugut.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, akuzoi Rusinë se po bëhet gjithnjë e më autoritare brenda vendit dhe agresive jashtë tij. Duke dëshmuar edhe një herë marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve, Rusia ka deklaruar se do të dërgojë anijet e saj të luftës në Karaibe në nëntor për të marrë pjesë në manovra të përbashkëta ushtarake me Venezuelën, vend i cili ka blerë armë nga Rusia.

Në Rusi, Presidenti Medvedev ka dhënë urdhër për një modernizim masiv të forcave të armatosura të vendit. Kryeministri Putin ka bërë të ditur shtimin me 27 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes vitin e ardhshëm, që do të kapë shumën e 53 miliardë dollarëve.

Analistët thonë se Perëndimi ka një numër të kufizuar mjetesh politike për të influencuar në politikat e Rusisë, prandaj ballafaqimi me perëndimin ka të ngjatë të prekë ekonominë ruse. Në shtator dhe tetor, bursa e Rusisë ra ndjeshëm, gjë që çoi në ndërprerjen e shkëmbimeve disa herë. Frika e largimit të kapitalit të huaj nga vendi, rënia e çmimeve të naftës dhe kriza financiare globale shkaktoi rënin e bursës që ka sjellë me vete një humbje të madhe besimi tek udhëheqësit e Rusisë.

Ekspertja e çështjeve ruse, Rose Goetemueller, është drejtore e zyrës së Fondacionit Karnegi në Moskë.

"Vendet dhe kompanitë ndërkombëtare nëpër botë do ta kalkulojnë me shumë kujdes rrezikun për investimet e tyre në Rusi. Nga ana tjetër, Rusia ka nevojë për shumë investime që të riparojë infrastrukturën e saj të vjetëruar, me qëllim që të ngrejë kompanitë e saj ndërkombëtare që do t’i shërbejnë modernizimit ekonomik të vendit”.


Megjithëse në bazë të kushtetutës është presidenti dhe jo kryeministri, ai që drejton Rusinë, lufta ruso-gjeorgjiane nxorri në pah se kush e zotëron balancën e pushtetit në Kremlin. Gjatë ditëve të para të luftës, ishte Vladimir Putini ai që shkoi në Osetinë e Jugut për t’u takuar me ushtarakët, pikërisht ashtu siç bëri gjatë fushatës ushtarake ruse në Çeçeni, kur mbante postin e presidentit. //iç//

XS
SM
MD
LG