Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në shtetin amerikan të Kolorados


Përveç vitit 1992, shteti i Kolorados ka votuar për kandidatin presidencial republikan për 40 vjet me radhë. Xhorxh W. Bush fitoi atje pa vështirësi si në vitin 2000, ashtu edhe në 2004-ën. Por këtë vit, kandidati republikan Xhon Mekejn ka mbetur pak prapa demokratit Barak Obama në shumicën e anketave dhe po ashtu kanë epërsie edhe kandidatët demokratë për në senat dhe në dhomën e përfaqësuesve.

Lovland është një komunitet i pasur në veri të Denverit, pranë Maleve Roki, që zakonisht ka mbështetur republikanët.

Por këtë vit, gara presidenciale është e ngushtë, dhe njerëz si Susan Riçards dhe Dejvid Suajnhart të cilët janë miq, debatojnë nganjëherë për këtë temë.

Susan përkrah demokratin Barak Obama. “Do të kisha preferuar zonjën Klinton, por mendoj se edhe Obama do të punojë mirë. Megjithëse njerëzit thonë se atij i mungon eksperienca, ai duket njeri që ka besim tek vetja.”

Dejvid përkrah republikanin Xhon Mekejn. “Ai i njeh tmerret e luftës dhe do të ishte një negociator i zoti, por ka edhe eksperiencën personale që e ndihmon.”

Në Kolorado pozita gjeografike duket se përcakton politikën. Obama poster on wall downtown Këtu në Denver, shenjat e përkrahjes ndaj zotit Obama duken kudo.

Por në zonat rurale më në lindje dhe në pjesën perëndimore të Maleve Roki, përkrahja ndaj zotit Mekejn është shumë e fortë.

Eksperti i politikës në Universitetin e Kolorados Ken Bikers thotë se rritja e shpejtë e popullsisë së shtetit ka ndikuar tek prirjet politike. “Kolorado ka pësuar ndryshime të mëdha demografike gjatë dekadës së fundit, sepse njerëzit kanë ardhur këtu nga i gjithë vendi, shumë prej tyre nga Kalifornia, dhe ata sjellin këtu edhe pikëpamjet e tyre politike.”

Zoti Bikers thotë se ekonomia është shqetësimi kryesor për votuesit në Kolorado dhe kjo i ndihmon demokratët, meqenëse votuesit kanë prirjen të fajësojnë partinë që është tani në Shtëpinë e Bardhë për problemet ekonomike.

Zoti Bikers thotë se zoti Mekejn i tërheq ende votuesit, kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë kombëtare, pjesërisht për shkak të mbështetjes së tij për shtimin e numrit të trupave në Irak. “Fakti që rritja e numrit të trupave ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë do të thotë se Iraku nuk ka nevojë të diskutohet më, prandaj njerëzit përqendrohen pothuajse tërësisht tek ekonomia. Zotin Mekejn do të kishte mbështetje më të madhe nëse njerëzit do të përqendroheshin tek siguria kombëtare, apo politika e jashtme.”

Por, në fund të fundit, rezultatet e zgjedhjeve në Kolorado mund të përcaktohen nga njerëz që ende janë të pavendosur si Dana Shnor, e cila thotë se ndoshta do të jetë një nga ata që do presë deri në javën e fundit për të vendosur se për cilin kandidat do votojë. //bsa//

XS
SM
MD
LG