Lidhje

Basha: Serbia të heqë dorë nga standarti i dyfishtë ndaj BE-së


Ministri i jashtë shqiptar Lulëzim Basha thotë se Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të ecë njëkohësisht me dy standarte, nga njëra anë të kërkojë të përfitojë maksimalisht në rrugën e përafërimit me Brukselit dhe nga ana tjetër t’i kundërvihet frontalisht politikës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Komentet e ministrit të Jashtëm shqiptar u bënë gjatë mbledhjes së përvitshme të ambasadorëve të Shqipërisë në botë të martën. Zoti Basha foli për një veprimtari frenetike bllokuese, frenuese, të të gjithë aparatit dhe makinerisë serbe ndaj Kosovës. “Serbia duhet ta lerë Kosovën të ecë në rrugën e ndërtimit të shtetit të të gjithëve, të shohë drejt së ardhmes së saj duke u ndarë nga e kaluara që nuk e çon askund” deklaroi ministri Basha. “Askush – vijoi më tej ministri shqiptar - nuk mundet të kthejë më Kosovën në Serbi dhe askush nuk duhet të ushqejë ndonjë iluzion se një gjë e tillë është e mundur.

Autoritetet serbe -shtoi ministri Basha - kanë detyrën që këtë të vërtetë t’ia tregojnë edhe popullsisë serbe në vend që ta ushqejnë kotazi me të pamundurën. Çdo përpjekje për të frenuar procesin e Kosovës, për të rishkruar ngjarjet është sa e pavend aq edhe e kotë, sa iluzive, aq edhe pa efekt”, ka deklaruar ministri.

Sipas zotit Basha edhe nisma serbe në OKB, është e panevojshme, jashtë kohe dhe pa efekt, pasi sipas tij, pavarësisht se cili do të jetë opinioni që mund të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ai do të jetë një mendim dhe jo vendim, dhe nuk do të mund të influencojë atë që është materializuar tashmë në Kosovë, zhvillimi i një shteti dhe shoqërie sipas parametrave të demokracisë perëndimore dhe në paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e saj.

Tirana, theksoi ministri Basha, nuk do të lodhet së përsërituri se “midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të ngrihet një proces pajtimi, sipas modelit të pajtimit franko-gjerman. Brezat e rinj kosovarë e serbë – tha ai - nuk duhet të vazhdojnë të rriten me ndjenjën e armiqësisë që u transmeton trashëgimia e hidhur”. “Është pikërisht pranimi i pavarësisë së Kosovës që – sipas zotit Basha - do ta çlirojë përfundimisht Serbinë, pasi do t’i lejojë asaj t'i kushtohet tërësisht së ardhmes evropiane dhe të mos humbë kohë duke përtypur të shkuarën”. //ad//

XS
SM
MD
LG