Lidhje

Rëndësia e votës latine në zgjedhjet presidenciale


Hispanikët janë tani pakica më e madh në Shtetet e Bashkuara. Ata janë gati 40 milionë banorë. Por përbëjnë vetëm rreth 9 përqind të elektoratit. Shumë hispanikë nuk janë shtetas amerikanë dhe një përqindje e madhe e atyre që janë shtetas janë nën moshën për të votuar. Siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, anketat me votuesit hispanikë tregojnë një mbështetje të fuqishme për kandidatin presidencial Barak Obama. Por ndikimi i tyre do të varet nga numri i tyre që do të votojnë më 4 nëntor.

Në zonën me shumicë hispanike në rrethinat e Hjustonit, çështjet kryesore janë ekonomia, kujdesi shëndetësor dhe imigracioni.

Demokrati Barak Obama është kandidati i preferuar mes hispanikëve këtu.

Megjithatë shumë hispanikë janë gjithashtu shumë fetarë dhe disa janë të shqetësuar nga mbështetja e zotit Obama për të drejtën e abortit.

Por në shkallë kombëtare, një në dy hispanikë mbështet zotin Obama. Republikani Xhon Mekein e ka patur të vështirë të tërheqë këta votues megjithë projektligjin e sponsorizuar prej tij për imigracionin dy vjetë më parë që do tu ofronte status ligjor qindra mijëra punëtorëve pa dokumenta.

Zoti Mekein u përgjigj kritikave brenda partisë së tij duke e forcuar pozicionin e tij mbi imigracionin. Dhe kjo sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Nju Meksikos, Gabriel Sanches, i ka kushtuar atij probleme me votuesit hispanikë.

"Për të dalë fitimtarë në zgjedhjet paraprake atij ju desh të ndryshonte qëndrimin në çështjen si imigracioni dhe fatkeqësisht, për hispanikët që iu intereson kjo çështje, po anojnë nga partia demokratike".

Por imigracioni ka kaluar në plan të dytë, pas ekonomisë thotë profesori Sanchez dhe nuk ka asnjë çështje tjetër që i veçon hispanikët nga votuesit e tjerë.

"Shumë njerëz supozojnë se votuesit hispanikë, në mbarë vendin ose këtu në Nju Meksiko, votojnë bazuar në etnicitetin e tyre dhe kjo thjesht nuk është e vërtetë. Hispanikët janë si gjithë të tjerët. Ata u kushtojnë vëmendje çështjeve që janë të rëndësishme për ta dhe si u përgjigjen këtyre problemeve kandidatët".

Numri i hispanikëve që shkojnë në votime është shumë më i vogël sesa numri i atyre që kanë të drejtë të votojnë.

Në përpjekje për të nxitur votën latine, Shoqata Kombëtare e të Zgjedhurve Latinë organizoi një qendër informacioni për votuesit në Los Anxhelos.

Eric Wagner është zëdhënësi i qendrës.

"Qëllimi është të ndihmojnë zgjedhësit latinas të marrin informacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në ditën e zgjedhjeve".

Ndikimi i votuesve hispanikë në zgjedhjet presidenciale ka të ngjarë të jetë shumë i rëndësishëm, thotë zoti Wagner, veçanërisht në shtetet kyçe ku gara është e ngushtë.

"Ne dimë që vota latine do të vendosë rezultatin në shtetet e lëkundura veçanërisht në Perëndim, në Nju Meksiko, Kolorado apo Florida", thotë Wagner.

Hispanikët janë pakica me rritjen më të madhe në Shtetet e Bashkuara. Shtimi i këtij grupi do të thotë se ndikimi i tij do të ndihet edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme.//rd//

XS
SM
MD
LG