Lidhje

Bankat Qendrore ulin interesat, bursat reagojnë me optimizëm


Tregjet aziatike kanë pësuar rritje pasi Banka Qendrore amerikane uli të mërkurën normat e interesit afatshkurtër me 0,5 përqind duke i çuar ato në 1 përqind. Indeksi Nikkei i Japonisë u rrit me pesë përqind në mesditë në Japoni ndërsa pati fitime edhe në Hong Kong dhe Tajpei. Indeksi kryesor i Koresë së Jugut u rrit me 10%. Banka Qendrore amerikane është njëra nga shumë bankat e botës që vendosën të ulin normat e interesit. Interesat janë ulur edhe nga Banka Qendrore e Kinës. Një zyrtar i lartë i Bankës Qendrore Evropiane tha se normat e interesit pritet të ulen edhe nga Banka Qendrore Evropiane dhe ka njoftime se edhe Japonia do t’i ulë më tej interesat e saj tashmë në nivele të ulta. Ulja e interesave pritet të ndihmojë zhvillimin ekonomik këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim i autoriteteve amerikane do ta çojë normën e interesit afatshkurtër në 1 për qind. Kjo lëvizje ka për qëllim të stimulojë huadhënien dhe ta ulë më tej koston e marrjes së kredisë. Proçesi i kredishënies ka pësuar një ngrirje prej muajsh për arsye të tkurrjes së kredisë çka erdhi pas mosshlyerjes së kësteve për kreditë e këqija të shtëpive. Uilliam Poul, ish guvernator i Bankës Qendrore amerikan thotë se Banka e mori këtë vendim për arsye të problemeve aktuale me ekonominë. Sipas tij, mund të ketë edhe ulje të tjera të normave të interesit.

"Pyetja që do të shtrohet menjëherë tani do të jetë: A do të ketë më ulje të normave të interesit? Po nëse norma e interesit do të shkojë në 0.25%? A do të kenë më hapësirë për shfrytëzimin e politikave monetare për të stimuluar ekonominë?"

Vetëm tre javë më parë Banka Qendrore uli normat e interesit me 0.5% veprim ky që u bashkërendua me bankat qendrore të Evropës dhe Azisë. Para një viti, Banka Qendrore e mbajti normën e interesit në 5.25% për të shmangur rritjen e inflacionit.

Ekspertët thonë se shpejtësia dhe përqindja e uljes së normës së interesit vitin e kaluar tregojnë se sa seriozisht Banka Qendore po e merr krizën financiare globale. Viti 2003 ishte hera e fundit kur normat e interesit afatshkurtër u mbajtën kaq të ulëta në një moment kur ekonomia po e merrte veten nga recesioni. Por interesat e ulëta bankara janë fajësuar si shkaktare të spekullimeve në tregjet e shtëpive çka nxiti krizën e tanishme financiare. //ad//

XS
SM
MD
LG