Lidhje

Xhon Mekein  kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara


Kandidati republikan për president, senatori i shtetit Arizona, Xhon Mekein, është shumë i njohur jo vetëm për karierën e tij të gjatë në senatin amerikan, por edhe për jetën e tij të vështirë e të guximshme, kur ai ishte i ri. Gjithashtu kjo është hera e dytë që zoti Mekein vë kandidaturën për president. Në vitin 2000, zoti Mekein humbi në fushatën e tij për të siguruar emërimin e Partisë Republikane përkundrejt presidentit Bush, guvernator i atëhershëm i Teksasit. Këtë vit, si kandidati republikan presidencial, senatori Mekein është përballur me një fushatë të vështirë, dinamika e së cilës u duk sikur ndryshoi brenda natës për shkak të krizës financiare të Uoll Stritit.

Xhon Mekejn lindi në zonën e Kanalit të Panamasë në vitin 1936. Si djalë dhe nip i admiralëve të marinës amerikane, kariera ushtarake e çoi atë në Akademinë e Marinës dhe më pas në Pasi aeroplani i tij u rrëzua mbi Vietnamin verior më 1967, zoti Mekejn kaloi 5 vjet e gjysëm si rob lufte, ku përjetoi rrahje brutale dhe u kthye në atdhe si hero kombëtar.

Në katër mandate si senator, zoti Mekein njihet si njeri agresiv në politikën e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, por pa i lënë mënjanë çështjet e brendëshme.

Zoti Mekejn thotë se përvoja e tij në luftë e bën atë veçanërisht të kualifikuar për detyrën e presidentit.

“Unë do ta filloja detyrën e presidentit me plot energji dhe kompetencë. Nuk kam nevojë për trejnim në punë. E kam parë fytyrën e të keqes dhe e njoh fytyrën e luftës. Kjo është çështja kryesore, prandaj kjo është arsyeja që unë do të jem president i Shteteve të Bashkuara”.

Republikani Mekein ka qënë mbështetës i hapur i strategjisë së presidentit Bush për shtimin e trupave amerikane në Irak.

“Lufta është shumë më e rëndësishme se çdo ambicje politike që unë kam. Mendoj se nëse ne dështojmë në atë luftë, në Irak do të ketë kaos dhe gjenocid në rajon dhe terroristët do të na ndjekin ne në vendin tonë”.

Por kjo mbështetje për luftën e Irakut, e shoqëruar me koston tepër të lartë të saj dhe kritikat e pareshtuara të rivalit të tij Barak Obama, e kanë dëmtuar shumë senatorin Mekein. Dhe sikur kjo të mos ishte mjaft, Shtetet e Bashkuara në këtë vit delikat zgjedhjesh, më pak se 2 muaj para ditës së zgjedhjeve, u goditën nga një krizë e rëndë financiare, duke i dhënë një goditje të rëndë edhe fushatës së republikanit Mekein.

Zotit Mekein i duhej që në fillim të tërheqte votuesit konservatorë dhe të pavarur në përpjekjen e dytë për në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar sigurimin kombëtar. Por qëndrimi i tij për vite me radhë në senat e bëri atë që baza konservatore e Partisë Republikane të mos ishte shumë entuziaste rreth kandidaturës së tij. Dhe për të entuziazmuar këtë bazë, analistët thonë se ai zgjodhi si kandidate për nën-president, guvernatoren e Alaskës, Sara Pejlin, një politikane me pikpamje shumë konservatore, dhe me një popullaritet të lartë në shtetin e saj. Dhe në fakt zgjedhja e zonjës Pejlin u pasua me shtimin e mbështetjes për fushatën e senatorit Mekein në anketime të ndryshme.

Senatori i Arizonës luajti rol aktiv në hartimin e projekt-ligjit për financimin e fushatave. Ai mbështeti ligjësimin e emigrantëve ilegalë, që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara. Të dyja këto qëndrime e kanë dëmtuar atë mes republikanëve konservatorë. Por gjatë fushatës, e veçanërisht që prej kuvendit të partisë në fillim të shtatorit, senatori Mekein është përqëndruar tek reformimi i Uashingtonit, rritja e prodhimit të naftës në vend, dhe më së fundi tek taksat.

Ai e ka gjallëruar më shumë fushatën dhe mesazhin e tij për të mos i ngritur taksat për asnjë segment të popullsisë, madje është përqëndruar së tepërmi tek bizneset e vogla, që kur në debatin e tretë, dhe më pas, u fol shumë rreth Xho Hidraulikut, një amerikan nga shteti Ohajo, i cili aspiron të blejë një biznes të vogël, dhe vuri në pikpyetje planin e senatorit Obama, gjatë një takimi fushate që pati me të.

Anketimet e javëve të fundit tregojnë se zoti Mekein është në disvantazh ndaj rivalit të tij demokrat Obama, mbështetja për të cilin ndryshon nga një përqind deri në mbi 10 për qind më shumë se senatori Mekein, por ka nga ata analistë, që thonë se anketimi përfundimtar dhe më i rëndësishëm është ai i 4 nëntorit, kur rreth 100 milion amerikanë pritet të hedhin votën e tyre.

Xhon Mekeinin e respektojnë shumë njerëz nga të dyja partitë për shërbimin e tij ushtarak, fuqinë fizike dhe mendore dhe karakterin e tij të fortë. Zoti Mekein u ka kujtuar vazhdimisht votuesve dekadat e tij në ushtri, përvojën në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, ndërkohë që ka vazhduar pa rreshtur fushatën për Shtëpinë e Bardhë.

Në moshën 72 vjeçare, senatori Mekein do të ishte personi më i moshuar në postin e presidentit, nëse ai fiton zgjedhjet e së martës, duke ia kaluar kështu heroit të tij politik, Ronald Reagan, i cili ishte 69 vjeç kur bëri betimin. //iç//

XS
SM
MD
LG