Lidhje

Shtohen lajmet negative rreth ekonomisë globale


Qeveria gjermane tha se ekonomia e saj, e treta më e madhe e botës dhe më e madhja në Evropë, është në recesion.

Në një raport të ri thuhet se ekonomia gjermane ra me gjysëm për qind në 3-mujorin e tretë të këtij viti, në korrik, gusht shtator, 3-mujori i dytë me radhë me rënie. Pakësimi i eksporteve fajësohet për rënien ekonomike.

Në një raport tjetër të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik, thuhet se aktivitetet ekonomike vitin e ardhshëm do të tkuren me një për qind në vendet, që përdorin euron, dhe me 0,9 përqind në Shtetet e Bashkuara.

Kriza financiare në botë do të jetë në krye të rendit të ditës të shtunën kur udhëheqësit e 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe vendeve me rritje të shpejtë ekonomike të mblidhen këtu në Uashington.

Udhëheqësit evropianë dhe aziatikë kanë thënë se shpresojnë që takimi të jetë një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje të re globale të krizës financiare.

Ndërkaq dje, Sekretari amerikan i Thesarit, Henry Polson, bëri të ditur ndryshimin e fokusit të paketës stimuluese prej 700 miliardë dollarësh. Fondi nuk do të përdoret për të blerë huatë problematike, siç ishte planifikuar fillimisht. Por qeveria do të përqendrohet në blerjen e aksioneve në banka të dryshme.

Sekretari amerikan i Thesarit, Henri Polson thotë se plani 700 miliard dollarësh i shpëtimit do të përqendrohet në nxitjen e tregjeve fianaciare, duke blerë aksione të bankave me probleme. Ai i inkurajoi githashtu bankat dhe institucione të tjera që të fillojnë të japin më shumë hua.

“Në periudha të tilla kur ekonomia është ngadalësuar dhe tregu i kredive ka rënë, edhe bankat më të fuqishme kanë prirjen të forcojnë kriteret e dhënies së huave dhe të kufizojnë dhënën e tyre. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën”.

Bllokimi i tregut të kredive ka qënë shkaku kryesor i krizës ekonomike. Njoftimi i djeshëm shënon një ndryshim të madh për administratën Bush. Në fillim administrata qeveria tha se do të blente aksionet e shvleftësuar që lidheshin me huatë.

Tani zoti Polson thotë se blerja e investimeve të dështuara nuk është mënyra më e mirë për të përdorur paketën stimuluese. Ai tha gjithashtu se kjo paketë do të përdoret për të gjeneruar hua për konsumatorët.

“40% e kredive për konsumatorët amerikanë është dhënë në formën e kartave të kreditit, të huave për automjetet, për huata e studentëve dhe për nevoja të tjera të ngjashme. Ky treg që është jetësor për huatë dhe rritjen ekonomike, për arsye praktike ka ngecur”.

Në situatën e tanishme, ekonomistët thonë se miliona amerikanë pritet të humbasin shtëpitë brenda disa viteve.

Polson premtoi të shtojë ndihmën qeveritare për të ndihmuar pronarët e shtëpive në vështirësi.

Presidenti i zgjedhur, Barak Obama ka thënë se paketa e shpëtimit duhet të përdoret për të mbështetur industrinë e automobilëve që është në vështirësi. Zoti Polson e përjashtoi këtë element.

Shitja e makinave në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi ka rënë më shumë se 30 përqind. Tre prodhuesit më të mëdhenj të makina, General Motors, Ford dhe Chrysler, thonë se mund të falimentojnë në muajt e ardhshëm. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG