Lidhje

Problemet e sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara


Një studim në shkallë botërore tregon se të paktën gjysma e pacientëve që vuajnë nga sëmundje kronike në Shtetet e Bashkuara thanë se u duhej të pakësonin ilaçet, për arsye se nuk e përballojnë dot të paguajnë për to. Studimi u krye nga grupe specialistësh të shëndetësisë nga 8 vendet më të industrializuara.

CAT SCAN është një lloj analize me rreze X, që mund të japë informacione tepër të rëndësishme për pacienten Beti Korbet.

Mjeku i saj beson se kjo analizë mund të tregojë, në se kanceri i vezores, nga i cili vuan Beti, po trajtohet me sukses përmes kimioterapisë.

Por zonja Korbet thotë se të ardhurat që merr i mjaftojnë vetëm për ushqim dhe shpenzimet e të tjera të përditshme.

“Unë duhet të kem të drejtën të di se si është gjendja ime shëndetësore”.

Një numër i madh amerikanësh janë në të njëjtën gjendje si ajo. Ndërsa Beti Korbet e merr sigurimin shëndetësor nga vendi i punës, të ardhuarat e saj nuk e mbulojnë dot përqindjen për të cilën ajo duhet të paguajë vetë.

“Kjo çështje ka të bëjë me integritetin tim, gjithmonë kam qenë në gjendje t’i paguaj vetë faturat e mija, prandaj tani e kam tepër të vështirë”, - thotë ajo.

Studimi grumbulloi informacione nga rreth 7 mijë e 500 pacientë me sëmundje kronike nga 8 vende të industrializuara të botës.

Në shumë nga kategoritë ku u përqëndrua studimi, pacientët në Shtetet e Bashkuara radhiteshin thuajse në fund të listës përsa i përket shqetësimeve të tyre për të patur sigurim shëndetësor.

Të paktën 40 për qind e amerikanëve të përfshirë në studim, thanë se nuk mund të përballonin ta paguanin vetë të gjithë kurën, prandaj dhe detyroheshin ta merrnin atë me ritme më të ngadalta.

Të paktën 30 për qind e pacientëve thanë se nuk shkonin për t’u vizituar tek doktori, për shkak të kostos së lartë.

Rreth 30 për qind të tjerë thanë se nuk bënin dot analiza, apo kontroll tek mjeku, po për shkak të kostos.

Profesoresha Xhin Miçëll punon në Institutin e Politikave Publike në Universitetin Xhorxhtaun në Washington.

“Edhe njerëzit që kanë sigurimin shëndetësor, po përballen me një rritje të ndjeshme të përqindjes që u duhet të paguajnë vetë pas pagesës nga sigurimi shëndetësor”.

Edhe kur sigurimi shëndetësor paguan shumicën e kostos, ilaçet janë shumë të shtrenjta, pra përqindja që paguajnë pacientët mbetet e lartë.

“Ajo thotë se e ndjente veten të poshtëruar që nuk i merrte dot ilaçet e nevojshme dhe se nuk e dinte se si do të arrinte t’i siguronte ato në të ardhmen”.

Studimi tregoi se të paktën 40 për qind e amerikanëve paguanin më tepër për ilaçet se sa pacientët nga vende të tjera të zhvilluara.

Por ky studim le edhe vend për optimizëm. Sipas tij, shumë prej pacientëve amerikanë me sëmundje kronike u duhej të prisnin më pak kohë për t’u vizituar tek mjeku specialist se sa

pacientëve në vende të tjera.

Po ashtu amerikanët që kuroheshin në spital kishin mendime më pozitive për shërbimin atje, se sa pacientë nga vende të tjera.//kk//

XS
SM
MD
LG