Lidhje

Singh: Autorët e sulmeve në Bombei mund t’i kenë bazat jashtë vendit


Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh tha se autorët e sulmeve në kryeqendrën financiare të vendit Bombei, ka shumë mundësi t’i kenë bazat jashtë vendit.

Zoti Singh i bëri komentet sot, një ditë pas sulmeve që persona të armatosur rëndë ndërmorën kundër 10 objekteve në këtë qytet, duke vrarë rreth 100 vetë dhe plagosur rreth 300.

Pa përmendur ndonjë vend të veçantë, ai tha se do t’u deklarojë fqinjëve se përdorimi i territorit të tyre për të ndërmarrë sulme terroriste nuk do të tolerohet.

Ndërkohë që zoti Singh fliste, forcat indiane të sigurimit hynë në dy hotele luksoze, Taj Mahal Palace dhe Oberoi-Trident, në përpjekje për të liruar pengjet dhe për të gjetur njerëzit e armatosur që mund të kishin mbetur. Nga hotelet dëgjoheshin të shtëna dhe shpërthime ndërsa nga hoteli Taj Mahal shpërtheu një tjetër zjarr pas zjarrit të mëparshëm i cili shkaktoi dëme të mëdha në këtë ndërtesë historike.

Mbrëmë, grupe personash të armatosur me mitralozë dhe granata sulmuan disa objekte që frekuentohen nga të huajt dhe biznesmenët, si hotele dhe stacione treni.

Sipas dëshmitarëve, personat e armatosur ishin në kërkim të shtetasve amerikanë dhe britanikë.

Mediat lokale njoftojnë se një grup ekstremist, më parë i panjohur, i quajtur Deccan Mujahideen, ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen. //ii

XS
SM
MD
LG