Lidhje

SHBA:Industria e prodhimit të makinave në pritje të ndihmës


Tre prodhuesit e mëdhenj të makinave në Detroit -- General Motors, Ford dhe Chrysler – kanë afat deri më 2 dhjetor për t’i paraqitur Kongresit një plan ku të tregojnë se si do ta përdorin paketën e kredive emergjente prej 25 miliard dollarësh.

Por ligjvënësit dhe përfaqësues të biznesit nuk kanë shumë besim se menaxherët e tanishëm të këtyre kompanive mund të sjellin ndryshime rrënjësore në këtë industri duke sjellë novacione apo përmirësuar cilësinë. Shitësi i makinave Xhek Fixherald është i indinjuar ndaj tre kompanive të mëdha. Fitxherald, i cili merret me këtë punë prej 40 vjetësh, shtron pyetjen se përse ishte Japonia dhe jo Detroiti ajo që nxori e para në treg makinat hibride dhe ato elektrike.

Zoti Fixherald,një tregtar që merret me shitjen e makinave, indinjohet për faktin që tre kompanitë e humbën dominimin që kishin në treg duke lejuar konkurrentët e tyre japonezë të dilnin në vend të parë në tregun global. Fitzgerald thotë se Detroiti mund të hyjë përsëri në lojë vetëm nëse prodhon makina me cilësinë më të lartë në botë.

"Përse t’i mbyllim uzinat kur ne kemi teknikët më të mirë në botë. Ne mbyllim uzinat tona kurse të tjerët vijnë këtu për të hapur uzina të tyret." - thotë ai

Zoti Fixherald është dakord me ata ligjvënës që besojnë se ekzekutivët e tre kompanive mund të mos jenë të aftë për ta ndalur rënien e kësaj industrie. Ata e ekspozuan veten ndaj kritikave kur i kërkuan ndihmë Kongresit.

Xheki Speier është ligjvënëse demokrate nga Kalifornia.

"Ne jemi si një bankë, pra duhet të na mendoni si të ishim një bankë. Ne na duhet një farë sigurie se kjo kredi do të shlyhet prej tyre."

Ekzekutivët e Detroitit u quajtën arrogantë, burokratë dhe të papërgjegjshëm. Madje disa ligjvënës u bënë atyre thirrje që të pranojnë falimentimin për të riorganizuar biznesin e kompanive të tyre. Tre ekzekutivët nuk pranuan dhe shitës makinash si zoti Fitzgerald mendojnë se falimentimi do të ishte një katastrofë.

Industria e automobilëve ka tre përqind të njerëzve të punësuar dhe të prodhimit ekonomik në vend. Rënia qoftë edhe njërës prej kompanive do të kishte pasoja shkatërrimtare për industrinë në pjesën qendrore të vendit. Pikërisht për këtë arësye, Kent Hughes, ekspert në Qendrën Wilson të Uashingtonit, thotë se industria amerikane e makinave është tepër e rëndësishme dhe nuk mund të falimentojë.

"Nuk mund të imagjinoj se si mund të mos përfillet një industri që prek direkt tre milion vende pune. Veç kësaj, makinat janë me rëndësi kryesore për krejt industrinë tonë të prodhimit." - thotë ai

Kritikët thonë se prodhuesit e Detroitit mund ta marrin kredinë por mund të mos i ndryshojnë praktikat e tyre jo kompetitive dhe me çmim të lartë. Nëse kjo ndodh, thotë zoti Fitzxherald, rënia e kësaj industrie do të vazhdojë dhe fati i saj do të ndjekë atë të Kadillakut, një markë e General Motor-it, e cila dikur ishte simbol i cilësisë së lartë.

"Sot, shitjet e Kadillakut janë shumë më pak se sa ato të Leksusit, BMV-së dhe Bencit. Dikur Kadillaku shitej më tepër se sa të treja të marra së bashku." - thotë Fixherald.

Kongresi amerikan pritet të votojë për paketën e kredisë emergjente nga fillimi i dhjetorit.//mm//

XS
SM
MD
LG