Lidhje

Presidenti Topi i kthen parlamentit ligjin e Kodit Zgjedhor


Një detaj teknik që ka të bëjë me afatet kohore të dekretimit të zgjedhjeve ka bërë që presidenti Bamir Topi të kthejë pas për saktësime kodin e ri zgjedhor, të miratuar pak javë më parë nga parlamenti.

Gjithshka ka të bëjë me faktin se sipas kodit të ri “Presidenti nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të parlamentit”. Mandati i parlamentit përfundon në javën e parë të shtatorit, gjë e cila bën që dekretimi do të duhej të kryhej në javën e parë të dhjetorit. Një kohë e pamjaftueshme për t’u arritur.

Presidenti e ka marrë kodin më 24 nëntor. Edhë nëse ai do e dekretonte në afatet më minimale sërish procedurat e tjera të botimit në fletoren zyrtare dhe të hyrjes në fuqi nuk do ta mundësonin dekretimin brenda afateve të parashikuara të kodit dhe do ta vinte atë në vështirësi për të argumentuar mbështetjen ligjore të vendimit të tij: "Në këto raporte, Kushtetutë - ligj elektoral, mbizotëron Kushtetuta. Unë kam qenë i detyruar, duke qenë garant i Kushtetutës, që të rikthej në Parlament që të bëhet ky korrigjim, në mënyrë që të jemi konform detyrimit kushtetues, që zgjedhjet politike të përgjithshme në Shqipëri të realizohen brenda afatit kushtetues dhe t’i jepet mundësia Presidentit që, sipas ligjit të Kodit Eelektoral të ketë një periudhë të nevojshme, të pranueshme, që të korrespondojë me atë që thotë Kushtetuta"

Presidenti është kujdesur të saktësojë se kjo nuk ka të bëjë me një kundërvënie të tij ndaj kodit. Për këtë arsye ai dhe e ka vlerësuar si një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.

Por megjithatë reagimi i parë i ardhur nga shumica ka qenë mjaft i ashpër. Kryetarja e Parlamentit në një prononcim të saj nga Londra për Top Chanel ka deklaruar se me kete vendim presidenti Topi eshte indentifikuar me pakicen dhe kjo sipas saj nuk eshte hera e pare qe presidenti del kunder vullnetit te dy partive kryesore ne vend. Kryetarja e parlamentit ka kthyer në kujtëse qendrimin kritik te presidentit per ndryshimet kushtetuese për të cilat gjithashtu pati një vullnet të qartë konsensusi nga dy partitë më të mëdha.

Të përmbajtur nga ana tjetër socialistët. Me anë të një deklarate ata shprehen se mirëkuptojnë kërkesën e Presidentit për saktësimin e nuancës juridike, por shtojnë megjithatë se sipas tyre afati ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kod dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas kushtetutës.

Ndërsa partitë e vogla, vecanërisht Lëvizjsa socialiste për Integrim dhe demokristianët që ndërmorën një betejë të hapur kundër kodit, duke u ngujuar madje edhe në grevë urie, shohin mundësinë e rihapjes së cështjes. Megjithatë kjo duket e pamundur. Nga njëra anë presidenti e ka kufizuar qartë arsyen e kthimit e nga ana tjetër për dy partitë e mëdha Kodi është një kapitull i mbyllur.

Dy partitë e mëdha për t’iu përgjigjur kërkesës së presidentit mund të shtopjnë në kod një dispozitë tranzitoreqë të zgjidhe këtë ngërc kohor të krijuar zgjedhjet e 2009.

XS
SM
MD
LG