Teknologjia e re mund ta shndërojë fantazinë shkencore të së kaluarës në një realitet të ditëve tona. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një dorë bionike, që bën realitet fantazitë rreth pjesëve artificiale të trupit të projektuara kompjuteri. Dora bionike u cilësua si një prej 50 shpikjeve më të rëndësishme të këtij viti nga revista Tajms. Dhe për një pacient teknologjia e re është përmbushje e një premtimi i bërë para shumë vitesh.
Ermino Bugliana priti 25 vjet për këtë ditë. Në vitin 1983 ai humbi dorën e majtë, ndërsa luante me fishekzjarre afër shtëpisë së tij në shtetin e Pensilvanisë.
“Pak pas aksidentit, mjekët më thanë se do të më operonin dhe se do të ruanin funksionet nervore të dorës time”.
Në atë kohë, gjymtyrët artificialë ishin prej druri dhe kishin funksione të kufizuara, por mjekët e dinin se një dorë bionike mund të bëhej realitet.
Sot një gjë e tillë është realitet dhe pritja për një kohë të gjatë nga Erminio Bugliana ka marrë fund.
“Me të vërtetë që ndihem sikur të jetë dora ime e natyrshme”.
Erminio ka tani një dorë proteze me sensorë të lidhur me trurin, që komandon hapjen dhe mbylljen e dorës.
Pastaj një mikroprocesor në pëllëmbën e dorës kontrollon lëvizjet e secilit gisht për të përcaktuar forcën e nevojshme për funksione të ndryshme. Mjeku Jared Howell thotë se aftësia e Erminos për të përdorur dorën menjëherë i kaloi parashikimet.
“Ishte me të vërtetë impresionuese që Ermino menjëherë pas operacionit ishte në gjendje ta përdorte dorën për funksione të ndryshme dhe të lëvizte gishtat normalisht që në ditën e parë”.
Kompania skoceze, Touch Bionics, që prodhon këtë dorë thotë se mbi 400 njerëz kanë përfituar nga kjo teknologji, e cila kushton nga 50 në 70 mijë dollarë. Kjo është një shumë e madhe, por shkathtësia që ofron dora bionike është krejt ndryshe nga protezat e mëparshme.
Kur pa Erminion me dorën bionike, që funksiononte aq mirë, motra e tij Lisa Mërfi filloi të qante.
“Ai nuk do të shikohet më si një njeri pa dorë, por kudo që të shkojë do të shikohet si çdo njeri normal”.
Por Erminio nuk ishte aq emocional. Madje në vend që të festojë për kthimin e dorës thuajse normale, Erminio Bugliani është tepër i përqëndruar tek dora e tij dhe mundësitë që i janë hapur atij për gjithë jetën. (ze)