Lidhje

Kompanitë e automobilëve, përpjekje të reja për kredi federale


Drejtuesit e tre kompanive amerikane të prodhimit të automjeteve u zotuan të reformojnë modelin e biznesit si kusht për të marrë ndihma federale prej miliarda dollarësh për të shpëtuar nga falimentimi këtë sektor. Zyrtarët dolën dje para Kongresit për të dytën herë brenda dy javësh.

Drejtuesit e kompanive Ford, Chrysler dhe General Motors kërkuan nga Kongresi kredi emergjente me vlerë 34 miliardë dollarë për të përballuar krizën ekonomike që ka rezultuar në një rënie dramatike të vëllimit të shitjes së makinave.

Dy javë pasi anëtarët e Kongresit kritikuan kompanitë amerikane të prodhimit të automjeteve se nuk kanë bërë sa duhet për të rritur aftësinë konkuruese, drejtuesit e kompanive u kthyen në Uashington me plane për të reformuar operacionet, në përputhje me kërkesën e Kongresit.

Në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Sektorin Bankar, Presidenti dhe Shefi ekzekutiv i Kompanisë Ford, Alan Mullalli, tingëllonte mjaft i përlurur:

“Ju e thatë qartë se modeli ynë i biznesit duhet të ndryshonte. Unë jam plotësisht dakord me ju.”

Secili nga drejtuesit shpjegoi në hollësi planet e parashtruara për të reformuar kompaninë përkatëse, në mënyrë që të bëhet më efektive dhe fitimprurëse. Riçard Vagoner është Shefi Ekzekutiv i kompanisë General Motors:

“Ndër pikat më të rëndësishme të reformimit është angazhimi ynë më i madh për futjen e teknologjisë së re, veçanërisht për teknologji që nuk dëmton mjedisin, rritja e prodhimit të makinave që nuk djegin shumë karburant, reduktimi i numrit të modeleve dhe pikave të shitjes, në mënyrë që t’i përdorim sa më me efikasitet burimet.”

Ndërkohë që drejtuesit e 3 kompanive amerikane kërkuan ndihmë nga qeveria federale në shkëmbim për reformat në këtë sektor të industrisë, në seancë u dhanë edhe dëshmi të tjera ku u nënvizuan pasojat që priten nëse Kongresi nuk miraton kredinë për kompanitë e automjeteve.

Ron Getelfinger, President i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit të Automjeteve theksoi se kompanitë e prodhimit të automjeteve, në veçanti General Motors, do të falimentonin në mungesë të kredisë:

“Mendoj se General Motors nuk do të ekzistojë më në fund të muajit.”

Mark Zandi, kryekonomist dhe bashkëthemelues i faqes elektronike Moody’s Economy.com, paralajmëroi se do të ketë pasoja shumë negative në mungesë të kredisë.

“Falimentimi i këtyre kompanive në këto kushte do të ishte katastrofik për ekonominë.”

Kryetari i Komisionit të Senatit për Sektorin Bankar Kristofer Dod, shprehu shqetësimin e tij kur foli në mbështetje të dhënies së kredisë:

“Pasiviteti nuk është zgjidhje. Pasiviteti do ta thellonte më tej pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë e ekonomisë sonë.”

Por Senatori Riçard Shelbi nga Alabama, republikani më i lartë në Komision, shprehu skepticizëm lidhur me parashikimet se paketa e ndihmave do të sillte ndryshimet e nevojshme në operimin e këtyre kompanive:

“Sa herë që qeveria përpiqet për të ndryshuar dinamika të tilla, nuk bën tjetër veçse shtrembëron forcat që veprojnë në këto sektorë. Mendoj se një kredi e tillë do të kishte një kosto tepër të lartë dhe të paleverdisshme.”

Kongresi mund të votojë mbi paketën e ndihmës për kompanitë e automjeteve kur të kthehet për një sesion të shkurtër javën e ardhshme. //ad//

XS
SM
MD
LG