Lidhje

Uizner: Për Amerikën,  Kosova është anëtare e familjes së shteteve


Në ceremoninë e sotme për nder të zotit Ahtisaari në Oslo ishte edhe Ambasadori Frank Uizner, ish-i dërguari amerikan në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Në një një intervistë që i dha dje Zërit të Amerikës para se të nisej për në Norvegji, ambasadori Uizner vlerësoi kontributin e ish-presidentit finlandez për paqen në botë. Duke folur për Kosovën, ai e pranoi se paqartësitë dhe problmet ekzistojnë, por theksoi se 10 muajt e parë të pavarësisë kanë ecur mirë dhe vëmendja duhet përqendruar tek ajo që është arritur. Në intervistën që dha nga Nju Jorku, Ambasadori Uizner tha se parashikon që politika e administratës së re amerikane për Ballkanin të vazhdojë në gjurmët e atyre pararendëse.

Zëri i Amerikës: Ambasador Uizner, ndërsa niseni për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Paqes për zotin Ahtisaari, a mund të na thoni mendimin tuaj për punën e tij?

Ambasador Frenk Uizner: Kam pasur nderin dhe kënaqësinë ta njoh Presidentin Ahtisaari që prej afro tre dekadash. E takova për herë të parë kur ai përfaqësonte komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Namibisë dhe më pas kur ishte President i Finlandës, shpesh e kontaktoja. Por bashkëpunimin më të ngushtë me të e para kur ai po negocionte statusin përfundimtar të Kosovës si i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Në ceremoninë e Oslos ai do të nderohet për kontributin e jashtëzakonshëm për paqen botërore dhe jam i lumtur që më ka ftuar të marr pjesë si i ftuari i tij në këtë moment të jashtëzakonshëm. Ky është një moment i veçantë për Kombet e Bashkuara, sistemin e tij, për Finlandën, popullin e saj dhe për vetë Presidentin Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Nuk ka dyshim që për shqiptarët zoti Ahtisaari do të kujtohet për planin e pavarësisë së Kosovës që ju sapo përmendët. Por vetë presidenti Ahtisaari ditët e fundit ka shprehur pakënaqësi me gjendjen në Kosovë. EULEX-i sapo e ka filluar punën atje. A mendoni se plani i zotit Ahtisaari po anashkalohet?

Ambasador Frenk Uizner: Unë besoj se statusi aktual i Kosovës, pavarësia e saj, pozicioni i saj i komunitetin ndërkombëtar, dislokimi i misionit të EULEX-it, janë të gjitha të parashikuara në planin Ahtisaari. Ky plan është ne themelin e rrugës që vendosën të ndjekin Shtetet e Bashkuara kur njohën pavarësinë e Kosovës. Plani Ahtisaari është korniza e pavarësisë pothuajse njëvjeçare të Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe për disa kohë. Nuk besoj se po anashkalohet. Besoj se është në thelb të angazhimit amerikan për paqen atje dhe i angazhimit të vetë Kosovës për pavarësinë dhe të ardhmen e saj.

Zëri i Amerikës: Ka pasur debate për rolin dhe autoritetin e EULEX-it, misioni i të cilit sapo ka filluar të përhapet në gjithë Kosovën. Cili është mendimi juaj për këto debate?

Ambasador Frenk Uizner: Është e qartë që ka pasur disa argumenta dhe debate, gjë që është e kuptueshme duke pasur parasysh natyrën e ndërlikuar të çështjes, mandatet që herë-herë dublojnë njëri-tjetrin, faktin që Këshilli i Sigurimit nuk u lejua me pengesën e rusëve të arrinte në një përfundim të qartë. Ka paqartësi, ka një prani të OKB-së që vazhdon të ekzistojë, ndërkohë që Kosova është e pavarur. Por unë mendoj që 10 muajt e parë të pavarësisë së Kosovës kanë shkuar shumë mirë. Gjendja e sigurisë ka qenë e mirë, institucionet e reja kanë filluar punën dhe sot është fillimi i misioni i EULEX-it, nga të dyja anët e lumit Ibër. Kështuqë mendoj se të gjithë ne që ia duam të mirën Kosovës dhe urojmë sukses për të ardhmen e saj, që duam paqe në Ballkan duhet të jemi të kënaqur nga këta 10 muaj dhe duhet të themi se pavarësisht nga paqartësitë dhe vështirësitë, nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe nga fakti që Serbia nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, punët nuk po shkojnë edhe aq keq dhe ëndrra e popullit të Kosovës po realizohet.

Zëri i Amerikës: A mund të mbajë EULEX-i një qëndrim për status neutral në Kosovë?

Ambasador Frenk Uizner: Serbët po fusin konceptin e statusit neutral, sepse nuk e kanë pranuar statusin, por Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për paanësi në këtë status: Kosova është anëtare e familjes së shteteve dhe pikë.

Zëri i Amerikës: Pas ndërhyrjes së OKB-së me nxitjen e Serbisë, kritikët dhe protestuesit në Kosovë paralajmërojnë se jemi përpara një ndarjeje ose kërcënimi të tërësisë territoriale të Kosovës. A ka bazë një frikë e tillë sipas mendimit tuaj?

Ambasador Frenk Uizner: E kuptoj këtë lloj shqetësimi dhe solidarizohem me të. Në fund të fundit, Kosova ka kërkuar prej një kohe të gjatë të ketë një status të qartë dhe përfundimtar, por kjo nuk ndodhi. Në fakt ka misione që dublojnë njëra-tjetrën, akoma kemi rezolutën 1244 njëkohësisht, por Kosova është e pavarur dhe plani Ahtisaari ka filluar të funksionojë. Unë i kuptoj problemet, i kuptoj dyshimet por le të shohim ato që janë realizuar: Kosova është e pavarur, është njohur nga më shumë se 50 vende, vende me rëndësi kyçe, që janë partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës dhe miqtë e saj. Ky vend i ri ka filluar të funksionojë, ka institucionet e veta, ka kryer zgjedhjet e veta, ka realizuar arritje të rëndësishme. Besoj se meritat i takojnë atyre që kanë treguar vetëpërmbajtje, gjë që duhet të vazhdojë, duhet lejuar EULEX-it vazhdojë punën e vet, duhet të përmirësojë situatën e rendit, paqen dhe drejtësinë në vend, duke lejuar Kosovën të ecë përpara. Por mendoj se fillimi ka qenë i mbarë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët disa herë faktin që ka paqartësi. Si mendoni ju se do të zhduken ato, vetëm me kalimin e kohës, apo ka ndonjë plan dhe përpjekje për t’i shmangur ato?

Ambasador Frenk Uizner: Do të doja të kisha një përgjigje për këtë pyetje. Nuk besoj se do të mund të zhduken së shpejti, përsa kohë Serbia nuk ndryshon qëndrimin e saj të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe mbështetet në këtë drejtim nga rusët. Nuk ka një zgjidhje përfundimtare brenda Kombeve të Bashkuara, kështuqë paqartësitë mbeten. Por të mos harrojmë atë që është realizuar: Kosova është shtet i pavarur dhe është njohur si e tillë. Detyra e vërtetë përpara është të lëmë pas shqetësimin për paqartësinë. Puna e vërtetë është ajo për ndërtimin e Kosovës, institucionet e saj, misionet e saj të drejtësisë, ekonominë e saj, të hapen vendet e punës, të krijohet jeta e një vendi të lirë dhe të begatë, me shpresa të vërteta për të rinjtë e tij.

Zëri i Amerikës: Në janar në Uashington do të ketë një administratë të re, nën drejtimin e zotit Obama. Me gjithë problemet botërore, krizën financiare, dy luftra dhe sfida të tjera ndërkombëtare, përfshirë Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet me Rusinë, çfarë vendi mendoni se do të zërë Ballkani në politikën e jashtme duke pasur parasysh se Kosova është një shtet i sapoformuar dhe ka akoma çështje të pazgjidhura në atë rajon?

Ambasador Frenk Uizner: Vërtet ka çështje të pazgjidhura në rajon, por nga përvoja ime si përfaqësues i kësaj qeverie në negociatat për statusin e Kosovës, mund të them se politika e kësaj administrate përputhej plotësisht me atë të kaluarën, pra ishte një politikë kombëtare. Ne amerikanët e pranuam faktin që duhet të kishte paqe në rajon, që pasojat e shpërbërjes tragjike të ish-Jugosllavisë duhej të eliminoheshin, duhej të merrnin zgjidhje ligjërisht, duhet të kishte paqe ne rajon dhe rajoni të ecë përpara. Këto janë politika kombëtare që kanë mbështetje nga të dyja palët dhe Kongresi. Nuk kam dyshim që do të vazhdojnë të udhëheqin politikën e administratës së zotit Obama, ashtu siç udhëhoqën administratën e presidentit Bush, dhe ate të Presidentit Klinton më parë. //kk//


XS
SM
MD
LG