Grupe të rinjsh në Greqi qëlluan me gurë policinë në qendër të Athinës, ndërkohë që trazirat vazhdojnë për të shtatën ditë radhazi, pasi policia vrau një djalë 15 vjeçar.
Policia përdori sot gaz lotsjellës dhe u përlesh me protestuesit që po marshonin drejt ndërtesës së parlamentit.
Indinjata lidhur me vrasjen e djalit 15 vjeçar të shtunën është kthyer në revolta masive kundër korrupsionit dhe gjendjes së vështirë ekonomike. Dhuna ka tronditur qeverinë konservatore të Kryeministrit Kostas Karamanlis, e cila mban shumicën në parlament me vetëm një votë.
Zoti Karamanlis hodhi poshtë thirrjet në rritje për dorëheqjen e tij, duke thënë se përparësia e tij është të udhëheqë vendin për të luftuar krizën financiare.
Dhjetra protestues dhe policë në Athinë dhe në Selanik janë plagosur që nga e shtuna kur një djalë 15 vjeçar u vra nga të shtënat e armëve të policisë. (ze)