Fuqitë më të mëdha ekonomike të Azisë po premtojnë për të ndihmuar në rigjallërimin e ekonomisë globale në krizë.
Udhëheqësit e Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut u zotuan për bashkëpunim më të ngushtë për lehtësimin e pasojave të krizës financiare globale në ekonomitë e vendeve aziatike. Kryeministri japonez Taro Aso, kryeministri kinez Wen Xhiabao dhe presidenti jugkorean Li Mjung Bak thanë në një takim që zhvilluan sot në Japoni, se Azia pritet të luajë një rol si qendra e rritjes eknomike të botës, me synimin për ta ndryshuar drejtimin e ekonomisë që kohët e fundit ka shënuar rënie.
Të tre udhëheqësit bënë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për ngritjen e një fondi rajonal për shmangien e trazirave financiare dhe për një futjen urgjent të kapitalit në Bankën Aziatike të Zhvillimit.
Ata thanë se do të bashkëpunojnë për fuqizimin e sektorëve të tyre të prodhimit dhe do të përpiqen për rritjen e kërkesës ndërsa ndihmojnë njëri tjetrin për shmangien e gabimeve që kanë dëmtuar edhe ekonomitë e vendeve të tjera.
Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut realizojnë 75 për qind të prodhimit të eknomisë së Azisë Lindore dhe 17 për qind të të gjithë prodhimit ekonomik të botës.