Lidhje

Pentagoni do të shqyrtojë një raport të Senatit mbi torturën


Pentagoni tha se do të marrë masa në rast se një raport i Senatit amerikan lidhur me torturimin e të burgosurve nxjerr informacione të reja. Raporti ndërpartiak thotë se zyrtarë të lartë, përfshirë edhe ish Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, përcaktuan politika, që u bënë bazë e fillimit të një sërë hetimesh abuzive në burgun amerikan në gjirin e Guantanamos dhe gjetkë.

Raporti i komisionit të Senatit për shërbimet e armatosura vë në dukje se zyrtarë të lartë, mes tyre edhe ish Sekretari i Mbrojtjes, autorizuan “teknika hetimore agresive.” Sipas raportit, këto metoda hetimore përfshinë teknika artificiale të mbytjes në ujë dhe kjo politikë rezultoi drejtëpërdrejtë në abuzimin e të burgosurve, madje u dërgoi një mesazh forcave amerikane në gjithë botën se keqtrajtimi është i lejuar.

Senatori Karl Levin, kryetar i komisionit të Senatit për shërbimet e armatosura, tha në një deklaratë për shtypin se është papërgjegjshmëri për zyrtarë të lartë që të fajësojnë trupat e një niveli më të uklët për abuzimet në Guantanamo, në burgun Abu Graib të Bagdatit dhe burgje të tjera. Senatori Levin tha se synimi i hetimit është që të sqarohen provat me shpresë që pranimi i gabimeve të bëra nga Amerika do të ndihmojë në rikthimin e vullnetit të mirë, që ka humbur.

Senatori republikan më me ndikim në të njëjtin komision, ish kandidati presidencial, Xhon Mekein, u torturua në Vietnam kur u mbajt rob lufte para 35 vjetësh. Në një deklaratë të përbashkët me senatorin demokrat Levin, senatori Mekein thotë se është e pafalshme për Shtetet e Bashkuara që të përdorin ato teknika hetuse abuzive, që u përdorën nga armiku i tyre.

Pentagoni tha se shqyrtime të mëparshme nuk kanë gjetur ndonjë politikë që toleron abuzimin, por në disa raporte në të kaluarën janë kritikuar urdhëra tolerante dhe kontradiktore të Pentagonit lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi i Pentagonit Brajën Uitman, i cili komentoi për gazetarët të premten, por jo para kamerave, tha se Departamenti i Mbrojtjes do ta shqyrtojë me kujdes raportin e komisionit të Senatit.

“Ne do ta shqyrtojmë raportin dhe nëse ai përmban ndonjë informacion të ri, me siguri që do të veprojmë”.

Abuzimet në të kaluarën kanë dëmtuar reputacionin e Shtetet e Bashkuara në botë dhe e kanë bërë edhe më të vështirë ndjekjen penale të të burgosurve. Zyrtarët thonë se informacioni që mësohet nëpërmjet torturës apo metodave të tjera abuzive nuk mund të përdoret në nga gjykatat amerikane. Kjo është arsyeja kryesore që administrata e presidentit Bush krijoi një sistem komisionesh ushtarake në burgun e Guantanamos.

Por kritikë si Anne Marie Brennan e organizatës Amnesty International thotë se ky sistem nuk është i drejtë dhe të burgosurit duhet të gjykohen në bazë të sistemit të rregullt gjyqësor.

“Nëse gjyqet mund të zhvillohen, atëhere pikërisht kjo duhet bërë. Është e qartë se provat e mara nëpërmjet torturës dhe formave të tjera çnjerëzore dhe degraduese duhet të përjashtohen”.

Pas 20 janarit do të jetë administrata e presidentit të zgjedhur, Barak Obama, e cila do të vendosë se si do t’i përgjigjet raportit të senatit amerikan, madje se çfarë politike do të ndiqet lidhur me mbajtjen, gjykimin dhe lirimin e mundshëm të 250 burrave, që ende mbahen në Guantanamo. (ze)

XS
SM
MD
LG