Lidhje

Medvedev: Rusia rezervon të drejtën për te mbrojtur interesat e saj


Presidenti Dmitri Medvedev thotë se Rusia rezervon të drejtën për të mbrojtur interesat e saj dhe do të marrë masa për të mbrojtur dinjitetin dhe jetën e qytetarëve të saj, kudo që të jenë. Zoti Medvedev i bëri këto komente gjatë një interviste të transmetuar nga televizioni, në të cilën u përqendrua tek ekonomia, por edhe tek marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe furnizimi me gaz i Ukrainës.

Në një intervistë të transmetuar të mërkurën në shkallë kombëtare në rrjetet kryesore televizive të Rusisë, Presidenti Dimitri Medvedev tha se shpesh herë ka vënë re përpjekje nga vende të huaja për ta “vënë Rusinë në vend të vet,” por i hodhi poshtë këto përpjekje si të papranueshme. Ai përmendi si shembull “prirjet e kolegëve dhe partnerëve në Nato për të zgjeruar pa fund Aleancën.” Ukraina dhe Gjeorgjia kërkojnë anëtarësim në Nato. Disa shtetas të të dyja vendeve kanë pasaporta ruse, pra kanë dy-shtetësi. Moska e shfrytëzoi këtë fakt si pretekst që të dërgonte tanket në Gjeorgji gushtin e kaluar, duke thënë se duhet të mbronte shtetasit e saj.

Zoti Medvedev tha se Rusia do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të prerë dhe të marrë masa të drejtpërdrejta kudo dhe kurdo që rrezikohet dinjiteti dhe jeta e shtetasve të saj: Medvedev Udhëheqësi i Kremlinit tha se është krejt i bindur se Rusia duhet të mbrojë interesat e saj duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme. Ai tha se këtu përfshihen, para së gjithash, ligjet ndërkombëtare si dhe organizatat ndërkombëtare si OKB-ja dhe organizma të tjera rajonale ku bën pjesë Rusia. Por kur është e nevojshme, tha zoti Medvedev, Rusia do të përdorë edhe kapacitetin e saj ushtarak.

Përdorimi i forcës nga ana e Rusisë gjatë konfliktit me Gjeorgjinë u dënua nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, si një hap i tepruar. Zoti Medvedev tha në intervistën televizive se ai ishte personi që mori vendimin për dërgimin e trupave në Gjeorgji dhe se ishte ndodhur përballë nevojës për të marrë një vendim të tillë pa pasur kohë për konsultime me të tjerë.

Zoti Medvedev tha se Presidenti i zgjedhur amerikan Barak Obama i kishte thënë në një bisedë telefonike se marrëdhëniet me Federatën Ruse janë ndër përparësitë kryesore të politikës së jashtme amerikane, një deklarim që udhëheqësi i Kremlinit e shikon si reflektim të politikës që ndjek edhe Rusia ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai shprehu shpresën për marrëdhënie më efektive dhe të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje se fajin nuk e ka Rusia për mos shfrytëzimin e shansit për marrëdhënie normale me Amerikën gjatë viteve të fundit.

Presidenti Medvedev gjithashtu i siguroi konsumatorët në Evropë se Rusia do të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj klientëve për gazin natyror, pavarësisht nga kërcënimet e Moskës se do të ndalë furnizimin e Ukrainës me gaz, pasi nuk ka paguar borxhin prej 2 miliardë dollarësh. Pjesa më e madhe e nevojave të Evropës për gaz natyror përmbushet nga Rusia përmes tubacioneve që kalojnë në Ukrainë.

Zoti Medvedev thotë se ukrainasit duhet të paguajnë edhe rublën e fundit nëse duan të shmangin sanksione ndaj ekonomisë së tyre nga Federata Ruse. Pjesa më e madhe e intervistës televizive të zotit Medvedev përqendrohet tek çështjet ekonomike, veçanërisht tek kriza globale ekonomike. Ai pohoi se në Rusi po rriten ritmet e papunësisë dhe kërcënoi se do të ndërmerren masa ndëshkimore ndaj punëdhënësve që heqin në mënyrë të paligjshme nga puna punonjës të tyre apo nuk i paguajnë ata, duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë për të mos lejuar përhapjen e akteve të tilla. Zoti Medvedev thotë se po përgatitet gjithashtu një listë me qindra kompani që mund të përfitojnë nga asistenca qeveritare:

Presidenti rus tha se këto masa nuk ishin në plane 6 muaj më parë, por tani nuk ka rrugëdalje tjetër. Ai shtoi se nevojiten subvencione të drejtpërdrejta për kompani me rëndësi strategjike për Rusinë dhe për firmat që janë punëdhënësi kryesor për qytete të caktuara. Autoritetet ruse nxorën një paralajmërim për një ish zëvendës ministër të punës sociale pasi kishte botuar një artikull ku shqyrtonte mundësinë për trazira sociale në Rusi, veçanërisht në qytete që mbështeten tek një industri e vetme dhe që mund të preken rëndë nga shkurtimi i vendeve të punës. Rusia ka rreth 700 qytete të tilla. //ad//

XS
SM
MD
LG