Lidhje

Pasqyra vjetore e ekonomisë globale


Viti 2008 mund të hyjë në histori si më i rëndi në disa vite për ekonominë globale. 2008-a filloi me një rënie të lehtë ekonomike, që më pas u përshpejtua, duke sjellë një krizë të sistemit të kredive dhe financiare, me të gjitha karakteristiket e saj, e cila u përhap në të gjithë botën.

2008 filloi me disa shenja, sipas të cilave ekonomia amerikane po ngadalësohej, por nuk pati asnjë lloj paralajmërimi për krizën e thellë finaciare që po afronte. Në muajin shkurt, Kongresi miratoi një paketë stimujsh në formën e çeqeve që ju dhanë një pjese të familjeve amerikane, për të zbutur ndikimet e asaj që shumica e ekonomistëve mendonin se do të ishte një rënie ekonomike e parëndësishme.

Por në muajin mars u vunë re një sërë dështimesh të institucioneve më të mëdha investuese të Amerikës, ato që jepnin hua për shtëpitë, bankat dhe korporatat e sigurimeve. Të gjitha ato institucione kishin lidhje me investimet në industrinë e kredive të shtëpive që pati shënuar një rritje të jashtëzakonshme. Këto investime u bënë problematike kur çmimet e shtëpive filluan të bien dhe pasojat e dhënies së kredive pa kritere sigurie filluan të ndjehen. Kësaj gjendjeje ekonomike ju shtua edhe rritja e madhe e çmimit të naftës.

Ekonomisti Jeffery Kling në insitutin Brookings të Washingtonit, e krahason ekonominë me një pacient në sallën e reanimacionit.

"Në Tetor pati një lloj ngecjeje, si pushim zemre, kur përjetuam një ngrirje të jashtëzakonshme të qarkullimit të parave në ekonomi. Ishte një moment, kur bankat ishin të frikësuara të jepnin hua, as edhe për afat të shkurtër ... Pikërisht në këto momente pati një panic që nuk e kemi parë këtu në SHBA që nga vitet 1930."

Tkurrja e kredive dhe dhimbja e shkaktuar prej saj u përhap shumë shpejt në Evropë, Azi dhe gjetkë. Bankat Qendore u përpoqën të injektonin para në sistemin financiar, për t’i shpëtuar kompanitë financiare që po falimentonin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte një prej udhëheqësve që shprehu shqetësimin.

"Gjendja e kredive nuk është aspak e kënaqshme. Qeveritë kanë ndërhyrë, por përsëri na duhet të bëjmë më tepër punë bindëse me bankat, që ato të bëjnë atë që pritet prej tyre, të japin kredi."

Në Kinë, Drejtori i Komisionit Kombëtar Qeveritar të Zhvillimit, Zhang Ping, kohët e fundit tha se pret rënie edhe më të madhe të ekonomisë.

"Kriza aktuale financiare dhe ndikimi i saj nuk është ndjerë i plotë. Kriza po përhapet në të gjithë botën dhe ndikimi i saj në ekonominë kineze po thellohet."

Në tetor, Kongresi amerikan autorizoi 700 miliardë dollarë për t’i ardhur në ndihmë kompanive financiare në krizë. Këto fonde po i mbikqyr Sekretari i Thesarit, Henri Paulson, i cili pranoi se situata është e vështirë, ndërsa theksoi disa nga zgjidhjet.

"Ne vazhdojmë të punojmë në kushtet e krizës financiare, Ndërsa po bëjmë përparim, para nesh kemi një udhëtim të gjatë."

Problemet më të mëdha ekonomike për popullin ameriian dhe në mbarë botën mund të mos kenë filluar ende, ndërsa shumë ekonomistë parashikojnë një recession të gjatë global me ritme edhe më të larta papunësie. Industria e prodhimit të makinave konsiderohet se është në rrezik të falimentojë.

Disa vëzhgues e karahasojnë situatën aktuale me një fatkeqësi të mëparshme të ekonomisë globale, me depresionin e viteve 1930. Por ekonomisti Jeffri Kling thotë se ky krahasim është i parakohshëm.

"Aktualisht ritmi i papunësisë ka arritur në 6,5 për qind, pra jo aq keq sa në vitin 1981 dhe as që mund të krahasohet me vitin 1930."

Presidenti i zgjedhur Barak Obama ka premtuar një program agresiv për shtimin e vendeve të punës për stimulimin e ekonomisë amerikane. Plani mundet t’i shtojë qindra miliarda dollarë borxhit tashmë të madh të Amerikës. Ironikisht, ishte pikërisht borxhi, por në formën e kredive të rrezikshme për shtëpitë që krijoi kushtet për krizën e tregut të shtëpive dhe që shihet si shkaku kryesor për krizën ekonomike aktuale.

XS
SM
MD
LG