Gjykata e Lartë e Serbisë la në fuqi dënimin me 40 vjet burg për organizatorët e vrasjes së kryeministrit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike Zoran Xhinxhiç në vitin 2003.
Milorad Ulemek, komandanti i forcave famëkeqe paraushtarake Beretat e Kuqe,gjatë kohës së regjimit të ish presidentit Sllobodan Millosheviç, ishte shpallur fajtor vitin e kaluar për organizimin e vrasjes së ish kryeministrit Xhinxhiç.
Nën-komandantit i kësaj njësie, Zvezdan Jovanoviç u gjet fajtor si njeriu që hapi zjarr kundër ish kryeministrit. Atentati u krye para selisë së qeverisë serbe në Beograd. Dënimet me 40 vjet burg janë maksimumi i lejuar në bazë të ligjit të Serbisë.
Sipas agjencisë Associated Press gjykata e lartë uli dënimet për tre pjesëmarrës të tjerë, ndërsa la në fuqi dënimet me burgim për 7 të tjerë.
Gjykatësi i shkallës së parë vitin e kaluar e cilësoi vrasjen e ish kryeministrit Xhinxhiç si një vrasje politike që kishte për qëllim të ndalonte reformat pro-perëndimore që ai po ndërmerte.