Lidhje

Emigrantët kubanë përcjellin me dhimbje 50-vjetorin e revolucionit komunist


Qeveria e Kubës po shënon 50 vjetorin e fitores së forcave guerrilase të drejtuara nga Fidel Kastro ndaj diktatorit Fulgencio Batista. Kjo ditë sjell në mendje kujtime të këqija për gati dy milionë kubanët që u larguan nga ishulli komunist që prej asaj dite. Çfarë përfaqëson revolucioni kubanez për ata që e lanë vendin?

Gati gjysma e kubanëve që kanë lënë Kubën në 50 vjetët e fundit janë vendosur në zonën e Majamit. Disa prej tyre janë përpjekur të largohen në mënyrë zyrtare, shpesh duke pritur me vite të tëra për miratimin e qeverisë kubane. Të tjerë u arratisën përmes anijeve të trafikantëve apo kërkuan azil ndërsa ndodhenin me punë jashtë shtetit. Për shumë kubanë nuk kanë rëndësi detajet e largimit, por vlen fakti që shpëtuan nga regjimi komunist.

Prezantuesit e Radios Republika me seli në Majami diskutuan përpjekjet e fundit të shtetasve kubanë për t’u larguar nga ishulli përmes një programi që nisi kësaj jave në Kubë. Sipas radios, kubanët u rreshtuan në ambasadën spanjolle në Havana duke shpresuar se do të përfitonin nga një ligj i ri që do t’u siguronte nënshtetësi nipërve të emigrantëve spanjollë. Hulio Estorino drejton programin radiofonik për grupin prodemokratik Drejtoria Demokratike e Kubës.

Zoti Estorino thotë se nënshtetësia spanjolle ofron shpresën e jetesës në një vend me liri dhe të drejta. Ai thotë se është pikëlluese që kaq shumë kubanë nuk shohin asnjë shpresë në tokën e tyre. Për shumë kubanë, Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë atyre mundësinë të arsimohen, të punojnë e të udhëtojnë, mundësi që nuk do t’i kishin në Kubë. Pronarja e një restoranti në Majami Ailin Fernandez u largua nga Kuba më shumë se 20 vjet më parë. Ajo ka dëshirë të kthehet në atdhe dhe të hapë një restorant në qytetin bregdetar të Varaderos por jo nën regjimin aktual.

Zonja Fernandez thotë se në Shtetet e Bashkuara ka shumë mundësi për njerëzit punëtorë, por në Kubë gjërat janë ndryshe. Emigrantë të tjerë si 18 vjeçarja Zhizel Palacios kanë ardhur në Majami për t’i shpëtuar persekutimit në ishull. Bijë disidentësh të njohur ajo u largua pasi e kishin hequr nga universiteti për arsye të veprimtarive të saj politike. Ajo thotë se shpreson të mbarojë studimet në Majami dhe të kthehet një ditë në atdhe pët të ndihmuar në rindërtimin e vendit. Sipas saj të gjithë kubanët e larguar duhet të kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre. Prindërit e Zhizelës ndodhen ende në Kubë ku babai i saj është burgosur për përfshirjen e tij politike. Për të, politikat e qeverisë revolucionare të Kubës kanë përfaqësuar ndarjen e detyruar nga familja dhe njerëzit e tjerë.

Komediani Bonko Kuinogo u largua nga Kuba nëntë vjet më parë për t’i dhënë hov karrierës së tij. Ky vendim bëri që qeveria ta quante atë tradhëtar, duke ia bërë tepër të vështirë kthimin në atdhe për të parë dy vajzat dhe babain e sëmurë. Zoti Kuinogo thotë se ai ka prekur suksesin qysh prej largimit nga Kuba por mungesa e familjes po i kushton shumë. Si shumë azilantë të tjerë kubanë, Kuiono nuk do të jetë në festimin e 50 vjetorit në plan të mbahet në Havanë. Kjo ditë i sjell atij kujtime të këqija mbi humbjet e mëdha gjatë 5 dekadave të fundit.

Kuinogo thotë se revolucioni duhet të sillte risi dhe progres, por në Kubë ai solli krejt të kundërtën. Kur Fidel Kastro shpalli fitoren 50 vjet më parë shumë pak prisnin që forcat e tij revolucionare të mbanin pushtetin për kaq shumë kohë. Pyetja e shumë azilantëve kubanë është sesa do të zgjasë qeverisja komuniste. //ad//

XS
SM
MD
LG