Lidhje

Tensionet në Mitrovicë dhe e ardhmja e veriut të Kosovës


Incidentet e ditëve të fundit në veriun e Mitrovicës kanë nxitur debat mbi praninë e EULEX-it dhe forcave të policisë së Kosovës atje.

Por Mitrovica, ndonëse e një rëndësie jetike për stabilitetin e rajonit, duket sikur po humbet gjithnjë e më shumë interes për bashkësinë ndërkombëtare. Kolegu Erjon Kruja foli me ekspertin e Ballkanit, Daniel Server dhe ish shefin e UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen mbi situatën e krijuar dhe të ardhmen e Mitrovicës.

Incidentet e fundit në veriun e Mitrovicës po testojnë fuqinë e misionit më të ri ndërkombëtar në Kosovë, EULEX-it dhe zbatimin e planit 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Ndërsa tensionet në pjesën veriore të qytetit, që funksionon si i ndarë që prej 9 vjetësh, janë rritur ndjeshëm, e ardhmja e kësaj pjese të Kosovës duket gjithnjë e më e paqartë.

Prishtina pretendon dhe synon të ushtrojë autoritet të plotë në të gjithë Kosovën, ndërsa Beogradi vepron sikur pavarësia e Kosovës nuk ka ndodhur kurrë. Në një situatë të tillë, popullata vendase gjendet para sfidave gjithnjë e më të vështira të sigurisë.

Siç thotë eksperti i Ballkanit në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington, Daniel Server, institucionet paralele atje nuk duhet të ishin lejuar të ekzistonin.

“Lejimi i institucioneve paralele ishte gabim i madh. Kjo do të thotë se kush a ka pranuar planin 6 pikësh është pro ndarjes së Kosovës. Duhet të ishte thënë se Kosova është e pandashme dhe Mitrovica është pjesë e saj.”

Sipas zotit Server fakti që Mitrovica veriore vazhdon të drejtohet nga Beogradi pa asnjë kundërshti nga Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara ka një efekt negativ politik.

Zoti Server sqaron se bashkësia ndërkombëtare duhet të qartësojë se cili do të jetë statusi i veriut të Mitrovicës dhe të vendosë nëse kjo pjesë do të mbetet brenda Kosovës. Ish kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen pranon se situata në veri mbetet e vështirë. Por siç thotë ai:

“Mendoj se BE-ja dhe misioni i EULEX-it e kuptojnë mirë sesa delikate është situata në veri. Ndaj besoj se ato do të veprojnë me shumë kujdes.”

Autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për qetësi në veri të Kosovës, ndërsa Beogradi zyrtar ka thënë ditët e fundit se situata e krijuar vjen si pasojë e provokimeve nga pala shqiptare. Rindezja e polemikave e vështirëson akoma më shumë gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për qytetin që aktualisht funksionon si i ndarë. Daniel Server thotë se vetëm bisedimet dypalëshe mund të sjellin këto zgjidhje.

“Ka ardhur koha që Prishtina dhe Beogradi të zgjidhin në mënyrë direkte problemet e tyre dhe jo përmes Nju Jorkut. Nuk më duket se ka nevojë për ndërmjetësues nëse të dyja palët do të uleshin në të njëjtën tavolinë si dy shtete sovrane.”

Por Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet sovran, ndërsa Prishtina thotë se i sheh bisedimet me Beogradin si hap prapa. Ndërsa duket qartë se të dyja palët kanë ende nevojë për ndihmën e negociuesve ndërkombëtarë, do të jetë e vështirë që diçka e tillë të ndodhë në një nivel të lartë.

“Sot në botë nuk ka as kohë e as energji për Kosovën duke marrë parasysh krizat e tjera. Këtu në SHBA, Kosova shihet si çështje e zgjidhur dhe jo si problem. Problemi qëndron në faktin që Evropa, e cila duhet të merrej me këto çështje, nuk ka rënë dakord as mbi të ardhmen e Kosovës”.

Zoti Server thekson faktin se të dyja palët duhet të bisedojnë. Ai thotë se qeveria e Prishtinës duhet të vendosë sovranitetein e vet në veriun e Kosovës pa trembur popullatën serbe por duke nxitur besimin se Prishtina i mbron interesat e tyre.

Ndërsa ish kryeadministratori i Kosovës Soren Jesen Petersen beson se vetëm e ardhmja evropiane do t’i zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet e Mitrovicës.

“Mendoj se pas një apo dy vjetësh shumica do të kuptojë se situata po stabilizohet dhe qytetarët mund të presin ditë më të mira. Kam besim se prania e EULEX-it në Kosovë do të sjellë edhe perspektivën e anëtarësimit në BE. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë,” thotë zoti Petersen.

Por perspektiva evropiane duket shumë e largët për qytetarët e Mitrovicës. Për momentin, ata kërkojnë nga përfaqësuesit lokalë dhe ata ndërkombëtare vetëm mundësinë që të punojnë e jetojnë në një ambjent të qetë e të sigurt. //ii

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG