Lidhje

Si do të zgjidhet çështja e kandidatit Burris për në Senat


Udhëheqësit demokratë të Kongresit thonë se do të jenë të gatshëm t’i japin fund një mosmarrëveshjeje lidhur me emërimin për vendin e senatit të presidentit të zgjedhur Barak Obama, pasi të zgjidhen disa çështje ligjore.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Heri Riid dhe numri dy i demokratëve të Senatit Dik Durbin, senator nga Ilinoi, u takuan dje me personin e emëruar për atë vend, Roland Burris. Udhëheqësit e senatit thanë se do të vendosin nëse do ta lejojnë zotin Burris të bëjë betimin si senator, pasi shteti i Ilinoit t’i hapë rrugë emërimit.

Ka filluar qe dje që po dëgjohen tone të tjera. Mesa duket ligjvenësit demokratë duan ta zgjidhin sa më shpejt që të jetë e mundur këtë çështje, që ajo të mos errësojë zhvillimet e tjera, tani që demorkatët kontrollojnë dy dhomat e Kongresit dhe kur kanë mbetur më pak se dy javë nga 20 janari, kur fillon detyrën presidenti Obama.

Ish prokurori i Ilinoit, Roland Burris u bë objekt i një spektakli të medias të hënën, ditë me shi këtu në Uashington, kur ashtu siç kishte thënë më parë do të vinte në Senat për të zënë vendin e lënë bosh nga presidenti i zgjedhur Barak Obama. Ai nuk u lejua të hynte në ndërtesë, përkundrazi mbeti në mes të shiut para mikrofonëve të medias dhe u detyrua të lejonte avokatët e tij që të argumentonin aspektet ligjore.

Por dje, duke ndryshuar papritur qëndrim, udhëheqësit demokratë të Senatit, me në krye udhëheqësin e shumicës, Heri Riid, filluan bisedimet rreth mundësisë për të pranuar në organin ligjvenës ish prokurorin e përgjithshëm të shtetit të Ilinoit, Roland Burris, i cili u emërua nga guvernatori i atij shteti, Rod Blagojeviç, për të zënë vendin e presidentit të zgjedhur, Barak Obama në Senat.

Negociatat filluan në Kongresin amerikan një ditë pasi zoti Burris nuk u lejua të hynte në godinën e Senatit për të bërë betimin në detyrë si senatori i ri nga Ilinoi.

Udhëheqësi i shumicës demokrate, senatori Heri Riid, tha se Senatit do t’i duhet të marrë vendim.

“Zoti Burris e kupton se senatoritë do të bëjnë të gjitha përpjekjet që shteti i Ilinoit të ketë dy senatorë në Senat dhe jo vetëm një. Ne e dimë se shumë njerëz kanë pyetur se pse zoti Burris nuk u lejua të bënte betimin dhe kjo për arsye të qarta sepse ai është emëruar nga një guvernator i akuzuar se u përpoq të shiste vendin e Senatit”.

Senatori Riid tha se gjatë një takimi dje, zoti Burris ua bëri të qartë udhëheqësve të senatit se ai e di që vendimi i senatorëve nuk ka të bëjë me racën e tij si afrikano-amerikan, ashtu siç janë përpjekur shumë njerëz ta portretizojnë atë.

Fillimisht, senatorët demokratë e kundërshtuan emërimin muajin e kaluar nga guvernatori Glagojeviç të zotit Burris, duke thënë se ky vendim është i njollosur me që guvernatori është akuzuar se u përpoq t’ia shiste vendin në senat personit, që do të paguante çmimin më të lartë. Por nën presionin e besnikëve të partisë, senatori Riid tha javën e kaluar se kishte vënd për negociata.

Në një konferencë shtypi pas takimit me senatorin Riid, zoti Burris tha se kishte mbetur shumë i kënaqur.

“Interesi im në këtë eksperincë ka qënë që të përgatiten për të përfaqësuar sa më mirë shtetin tim. Ky është afeksioni dhe dëshira ime dhe së shpejti do të kem mundësinë të shërbej si senator i ri i shtetit të pestë më të madh të Amerikës”.

Legjislatura e Ilinoit po shqyrton mundësinë e shkarkimit të guvernatorit Blagojeviç, i cili u arrestua më 9 dhjetor nën akuzat se u përpoq të merte rryshfete. Zoti Burris do të dëshmojë sot në një seancë për shkarkimin e guvernatorit. Ai është betuar se nuk ka kryer asnjë shkelje kur pranoi emërimin nga zoti Glagojeviç. Sekretari i Shtetit i Ilionit nuk ka pranuar të certifikojë emërimin.

Gjykata e Lartë e Ilinoit do të vendosë së shpejti nëse Sekretari i Shtetit duhet ta certifikojë emërimin e zotit Burris për në Senat dhe nëse kjo bëhet senatori Riid tha se demokratët do t’ia kalojnë emërimin Komisionit të Senatit për rregulloret që të marrë vendim.

E gjithë kjo çështje ka marrë përmasa edhe më të mëdha sepse, për veç faktit që guvernatori i Ilinoit Blagojeviç u përpoq të shiste vendin në senat, ky vend ka mbetur bosh si rezultat i fitores së presidentit të zgjedhur Barak Obama.

Vetë zoti Obama, pak ditë pas arrestimit të guvernatorit Blagojeviç, bëri thirrje prë dorëheqjen e tij, por dje ai tha se ishte gati të punonte me zotin Burris. Ai tha se kjo ishte një çështje e Senatit. Dhe nëse zoti Burris bën betimin si senator, ai do të punojë me të ashtu siç ka punuar me senatorët e tjerë për t’i shërbyer sa më mirë popullit të Ilinoit dhe gjithë Amerikës, tha zoti Obama.

Nëse bën betimin si senator, zoti Burris do të jetë senatori i vetëm afrikano-amerikan, duke zëvëndësuar presidentin e zgjedhur, Barak Obama, i pari president afrikano-amerikan i Amerikës. (ze)

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG