Lidhje

SHBA: Papunësia arriti një rekord të ri në dhjetor  -  7.2 përqind


Papunësia në Shtetet e Bashkuara arriti një rekord të ri në dhjetor - 7.2 përqind, niveli më i lartë në 15 vjet. Sipas Departamentit të Punës, ekonomia amerikane humbi më shumë se 2,5 milion vende pune gjatë vitit 2008.

Tregjet e aksioneve ranë dje si reagim i humbjes së mëtejshme të vendeve të punës, të cilat kërcënojnë ta zhysin vendin më thellë në recesion.

Eksperti Harry Rosenfield thotë se shifra e re e papunësisë është një provë e re se gjendja ekonomike po keqësohet.

"Realiteti është se ne as që kemi filluar të shikojmë se sa i vështirë do të jetë ky recesion. Këtë nuk do ta dimë me siguri deri vitin tjetër por shenjat janë të rënda dhe tregojnë se kjo do të jetë një ndër krizat më të mëdha ekonomike të kohës moderne."

Humbja e vendeve të punës përfaqëson një cikël negativ që po godet shpenzimet e konsumatorëve, ka pakësuar prodhimin industrial të vendit dhe vazhdon të pengojë rigjallërimin e tregut të shtëpive që ndodhet në vështirësi.

Ed Merzinski është analist për Grupin Stutimor Interesi Publik Amerikan.

"Njerëzit që nuk kanë punë nuk paguajnë dot kredinë e shtëpisë dhe kështu shtëpinë ua merr banka."

Presidenti i zgjedhur Obama tha dje se raporti për vendet e punës na kujton se sa e nevojshme është të ndërmerren veprime të menjëhershme.

"Për hir të ekonomisë dhe të popullit tonë, ky është momenti për të vepruar dhe për të vepruar pa vonesë."

Zoti Obama kërkon që Kongresi të miratojë një plan stimulimi prej 800 miliard dollarësh i cili do të ruante 3 milion vende pune. Disa politikanë thonë se plani është tepër i kushtueshëm por të tjerë mendojnë se ai duhet të jetë akoma më i madh.

Robert Kuttner i Instututit të Politikës Ekonomike propozon që kjo shumë të dyfishohet.

"Na duhet një paketë stimulimi e mjaftueshme për ta kthyer ekonominë në gjendje normale dhe kur ajo ta marrë veten ne do të mund të paguajmë borxhin."

Zoti Obama paralajmëron se pa veprime të tilla dramatike niveli i papunësisë mund të arrijë mbi 10 përqind nga fundi i këtij viti. //ii

XS
SM
MD
LG