Lidhje

Obama takohet me këshilltarët e ekonomisë dhe të sigurisë


Dita e parë e punës për Presidentin Barak Obama ishte një ditë me aktivitete politike dhe me lutje. Ai u takua me këshilltarët kryesorë ushtarakë dhe ekonomikë si dhe mori pjesë në një shërbesë lutjesh me klerikë të besimeve të ndryshme në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Pas ceremonisë së inaugurimit, paradës dhe ballove, erdhi koha që presidenti i ri t’i përvishej punës.

"Mendoni se në ç’farë momenti jemi! Mendoni se çfarë shansi kemi për ta ndryshuar këtë vend!" u shpreh ai.

Zoti Obama u takua dje me pjestarë të stafit dhe kabinetit të tij si dhe miratoi formalisht disa rregulla të rrepta për etikën dhe transparencën e qeverisë. Ai gjithashtu pezulloi çdo rritje page për ndihmësit e tij kryesorë.

"Shërbimi publik është një privilegj. Nuk është për të nxjerrë përfitime për veten, as për miqtë apo klientët e korporatave. Ai nuk është për të avancuar ndonjë program ideologjik apo interesa speciale të ndonjë organizate. Shërbimi publik është thjesht dhe krejtësisht për të avancuar interesat e amerikanëve."

Në orët që pasuan, Presidenti u përqendrua te çështjet më të mëdha me të cilat përballen amerikanët – ekonomia si dhe luftrat në Afganistan dhe Irak.

Zoti Obama u takua pas dyerve të mbyllura me ekipin e tij ekonomik – takim që me sa duke u përqendrua te përpjekjet e tij për të siguruar miratimin e Kongresit rreth një plani me përmasa të mëdha që synon stimulimin e ekonomisë.

Pastaj, ai bisedoi privatisht për herë të parë si president me njerëzit që drejtojnë operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan – një rast ky për të diskutuar mbi strategjinë dhe dislokimet e trupave.

Ai u angazhua edhe në diplomaci personale, duke e bërë të qartë qysh në fillim se administrata e re është e interesuar në parandalimin e dhunës së mëtejshme dhe në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs tha se zoti Obama i telefonoi Presidentit të Egjipit Hosni Mubarak, Mbretit jordanez Abdullah, Kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe Presidentit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Zoti Gibbs tha se Presidenti theksoi angazhimin e tij ndaj procesit të paqes dhe premtoi se do të përpiqej për të forcuar armëpushimin në Gazë.

Por përpara se të fillonte të merrej me çështje të tregtisë dhe të politikës së jashtëme, Presidenti Obama gjeti kohë edhe për lutje.

Dalja e tij e parë publike e ditës ishte në një shërbesë lutjesh në katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Presidenti u ul në radhën e parë të fronave ndërkohë që pastori Andy Stanley drejtonte shërbesën e lutjeve.

"Jepi Barak Obamës, Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe gjithë të tjerëve njerëz të autoritetit, hijeshinë dhe dëshirën tënde të mirë. Bekoji ata me dhuratat e tua hyjnore, jepu mençuri dhe forcë për të njohur dhe zbatuar vullnetin tënd.”

Në shërbesë morën pjesë klerikë të krishterë, hebraikë, myslimanë dhe hindu – një traditë kjo që e ka zanafillën te presidenti i parë amerikan, Xhorxh Uashington. //ii

XS
SM
MD
LG