Lidhje

Sekretari i ri amerikan i Thesarit, Timothi Gajtner bën betimin


Sekretari i ri amerikan i Thesarit, Timothi Gajtner bëri mbrëmë betimin si njëri nga zyrtarët kryesorë në përpjekjet e Presidentit Barack Obama për të luftuar problemet ekonomike.

Zoti Gajtner u konfirmua po mbrëmë nga Senati. Ai premtoi nisma të guximshme për të përballuar atë që ai e quajti moment të një sfide maksimale. Ndërkohë, kompanitë amerikane njoftuan dje shkurtimin e dhjetra mijë vendeve të punës – një tjetër provë kjo e përmasave të krizës ekonomike që ka përfshirë vendin.

Në ceremoninë e betimit, zoti Obama tha se “çdo ditë, tablloja ekonomike bëhet më e errët, këtu dhe kudo në botë." Ai tha se ka besim se ekipi i tij ekonomik është në gjendje të rikthejë besimin e humbur të amerikanëve tek ekonomia.

Po dje, kompania e pronave të patundëshme Fannie Mae, e cila mbështetet nga qeveria, njoftoi se mund të ketë nevojë për deri në 16 miliard dollarë fonde nga qeveria për të qendruar në këmbë.

Korporata General Motors njoftoi se do të shkurtojë 2 mijë vende pune si dhe do të shkurtojë prodhimin në një numër uzinash të tjera.

Prodhuesi i elektronikës, Texas Instruments, tha dje se do të eliminojë 3,400 vende pune ose 12 përqind të fuqisë punëtore për të kompensuar rënien e madhe të kërkesës për prodhimet e tij gjatë 3 mujave të fundit.

Kompania e telefonisë celulare Sprint Nextel, tha se do të eliminojë 8,000 vende pune për të shkurtuar koston e shërbimeve. Sistemi më i madh i dyqaneve që shesin materiale ndërtimi, Home Depot, njoftoi se do të shkurtojë 7 mijë vende pune dhe do të eliminojë degën e tij të qendrave të dezinjimit Expo. Prodhuesi më i madh i buldozerëve, Caterpillar, njoftoi gjithashtu shkurtimin e 20 mijë vendeve të punës.

Një anketë e re e Shoqatës Kombëtare për Biznesin dhe Ekonominë tha se kompanitë amerikane presin që ekonomia e vendit të tkurret të paktën 1 përqind këtë vit.

Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama tha se qeveria duhet të veprojë me një sens urgjence dhe qëllim të përbashkët për të ndihmuar ato familje jeta e të cilave është tronditur nga humbja e vendeve të punës. //ii

XS
SM
MD
LG