Lidhje

FMN: 2009 parashikohet të sjellë rritjen më të ulët botërore në 60 vjet


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një parashikim të ri akoma më negativ të rritjes ekonomike në shkallë botërore. Ekonomistët presin që rritja ekonomike sivjet të jetë vetëm pesë të dhjetat e një përqindëshi, që do të shënojë kështu rritjen më të ulët ekonomike në 60 vjetët e fundit.

Vetëm dy muaj më parë FMN-ja tha se rritja ekonomike botërore parashikohej të ishte afro 3,5 përqind sivjet. Por fondi e uli ndjeshëm këtë përqindje pas përkeqësimit të situatës ekonomike botërore. Siç thotë kryeekonomisti i FMN-së, Olivier Blanshard:

"Presim që ekonomia botërore gati të mos pësojë fare rritje sivjet. Vende të ndryshme po përjetojnë gjendje të ndryshme ekonomike. Ne parashikojmë që ekonomitë e zhvilluara do të përballen me rënien më të madhe ekonomike që pas Luftës së Dytë Botërore”.

Por zoti Blanshard tha se situata nuk është shumë më e mirë në vendet në zhvillim. Kështu parashikimi për rritjen ekonomike të Kinës thotë se ky vend do të ketë një rritje 50% më të ulët krahasuar me dy vjet më parë. Sipas kryeekonomistit të FMN-së, ekonomia botërore po preket thellësisht nga kriza financiare ndërkombëtare:

"Kriza financiare ka dobësuar besimin e konsumatorëve dhe bizneseve, ka rritur pasigurinë në treg dhe ka ulur ndjeshëm pasurinë. Kjo ka shkaktuar rënien e konsumit dhe investimeve”.

Zoti Blanshard shton se pozita e dobët e bankave e bën akoma më të vështirë për konsumatorët dhe bizneset të marrin kredi.

Zyrtari i Fondit, Xhemi Karuana thotë se humbjet e mundshme financiare, kryesisht nga kreditë e këqija të shtëpive në Shtetet e Bashkuara kanë arritur në 2 deri në 3 milardë dollarë. Ai thotë se bankave u duhen dhënë më shumë para në mënyrë që tregjet e kredive të rifillojnë së punuari normalisht. Sipas zotit Karuana, për të parandaluar përkeqësimin e situatës së bankave do të duhen të paktën 500 milionë dollarë.

Kryeekonomisti Blanshard shprehet me optimizëm dhe thotë se nëse stimujt financiarë do të bashkërendohen me kujdes nëpër botë, situata e ekonomisë ndërkombëtare ka gjasa të përmirësohet.

"Nëse do të ushtrojmë politikat e duhura dhe nëse do të na ecë pak fati, besoj se situata mund të përmirësohet me shpejt dhe më fuqishëm se ç’e parashikojmë aktualisht”.

Fondi pret që ekonomia amerikane të arrijë një rritje prej 2 përqindësh në vitin 2010. Zoti Blanshard nuk bie dakord që paratë e taksapaguesve të përdoren për të nxjerrë nga kriza industrinë e makinave në SHBA, pasi sipas tij kjo do të ishte thjesht një politikë proteksionizmi e shtrembëruar. //ek//

XS
SM
MD
LG