Lidhje

Obama, kundër shpërblimeve të mëdha për ekzekutivët


Presidenti Barak Obama kritikoi dje ashpër shpërblimet e majme që ju dhanë drejtuesve të institucioneve financiare në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur taksapaguesit amerikanë kanë paguar qindra miliarda dollarë për të ruajtur aktivitetin e bankave dhe firmave të Wall Street-it. Zoti Obama foli dje në Shtëpinë e Bardhë lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për rigjallërimin e ekonomisë amerikane në vështirësi.

Një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e rimëkëmbjes ekonomike të Presidentit Obama, ai kishte dëshirë të fliste lidhur me përpjekjet e administratës së tij për rikthimin e ekonomisë amerikane në gjendje normale.

Pas një takimi me ekipin e tij ekonomik, zoti Obama i rezervoi komentet më të ashpëra drejtuesve të firmave financiare. Presidenti përmendi një raport, i cili arrinte në përfundimin se menaxherët kryesorë kishin marrë shpërblime me vlerën e mbi 18 miliardë dollarëve vitin e kaluar.

"Ky është kulmi i mungesës së përgjegjësisë. Është e turpshme",- tha ai.

Duke e shprehur qartë irritimin e tij zoti Obama theksoi se taksapaguesve muajt e fundit u është dashur të pagujnë para për të mos lejuar falimentimin e disa prej institucioneve financiare. Ai nuk e ndryshoi aspak tonin, edhe pse në raport theksohej fakti se shpërblimet e këtyre institucioneve ishin pakësuar me 44 për qind krahasuar me një vit më parë.

"Populli amerikan e kupton se gjendja ekonomike është sikurse të kemi rënë në një gropë të madhe, prej nga duhet të dalim. Por atyre nuk u pëlqen ideja se drejtuesit e firmave financiare po e thellojnë edhe më tej këtë gropë, edhe pse po i kërkohet ta zvogëlojnë atë," - tha zoti Obama.

Presidenti premtoi se administrata e tij do ta ndjekë nga afër çështjen e drejtuesve të Wall Street-it dhe theksoi nevojën për sjellje me përgjegjësi nga ana e korporatave.

Zoti Obama tha se reformimi i mënyrës sipas së cilës Amerika zhvillon biznesin, do të jetë një komponent i rëndësishëm i mjeteve që do të përdorin Shtetet e Bashkuara për rigjallërimin e ekonomisë. Ai tha se administrata e tij po planifikon reforma financiare tepër të nevojshme, si dhe masa të tjera, të cilat do të bëhen të njohura gjatë javëve të ardhshme.

"Popullit amerikan do t’i sqarohet strategjia gjithpërfshirëse, që po planifikojmë, e cila synon hapjen e vendeve të punës, rihapjen e bizneseve dhe rifillimin përsëri të rrjedhjes të kredive," - tha zoti Obama.

Elementi i parë i programit eknomik të Presidentit shënoi një suekses të rëndësishëm këtë javë, pas miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve të planit të rimëkëmbjes eknomike me vlerën e 819 miliardë dollarëve. Paketa, e cila kombinon shkurtimin e taksave me shpenzimet në shumë fusha, do t’i çohet për shqyrtim Senatit dhe më pas, Presidentit për firmë.

Por paketa e stimujve nuk u votua nga asnjëri prej ligjvënësve republikanë, megjithë përpjekjet intensive të Presidentit për të zhvilluar lobizëm me ta.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs u shpreh me tone të ashpërra lidhur me votimin bazuar mbi ndarjet partiake.

"Duket se zakonet e vjetra nuk harrohen kollaj në Washington. Ne e kuptojmë këtë. Por Presidenti e kupton se ndryshimi i mënyrës se si punon Washingtoni nuk mund të ndodhë vetëm brenda 10 ditëve," - tha zëdhënësi Gibs.

Republikanët e kritikuan me forcë paketën e rimëkëmbjes eknomike, duke thënë se ajo përmban shkurtime të pamjaftueshme taksash për popullsinë dhe se është e ngarkuar me shpenzime të panevojshme qeveritare.

Zoti Gibs tha se plani synon injektimin e menjëhershëm të parave në ekonominë amerikane, për të nxitur krijimin dhe shtimin e vendeve të punës. Ai tha se paketa është tepër e nevojshme, sepse treguesit ekonomikë vazhdojnë të flasin për një një gjendje jo të mirë të ekonomisë amerikane.

Dje, Departamenti amerikan i Punës njoftoi se numri i amerikanëve që marrin përfirime për papunësinë ka arritur në një shifër rekord prej 4,78 milionë vetësh. Kjo është shifra më e lartë që nga koha kur Departamenti filloi të mbajë evidenca për papunësinë, në vitin 1960. Papunësia në SHBA u rrit me mbi 2 për qind vitin e kaluar, duke pasqyruar kështu një prirje që është vënë re në të gjithë botën.//lk


XS
SM
MD
LG