Shtëpia e Bardhë tha se do të përdorë të gjithë elementët e fuqisë së saj kombëtare në politikën ndaj Iranit. Komentet bëhen pas njoftimit të Teheranit për lëshimin e satelitit të tij të parë në orbitë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, u tha sot gazetarëve se veprimet e Iranit nuk i bindin Shtetet e Bashkuara se Teherani po vepron në mënyrë të përgjegjëshme për të përmirësuar stabilitetin ose sigurinë në rajon.
Ai tha se eksziston një shqetësim i mprehtë rreth veprimeve të Iranit.
Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinezhad, njoftoi dje se një satelit i prodhuar në Iran hyri në orbitë të hënën mbrëma, gjë që ai e quajti një hap drejt paqes dhe drejtësisë. Media shtetërore iraniane thotë se sateliti hyri në orbitë me anë të një rakete të prodhimit iranian.
Një rezolutë e Kombeve të Bashkuara e ndalon Iranin të angazhohet në aktivitete që lidhen me raketat. //ii