Lidhje

Departamenti i Shtetit komenton mbi takimin Klinton-Berisha


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili ishte i pranishëm në takimin që pati dje në Uashington Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, tha se zonja Klinton u shpreh shumë e gëzuar për faktin që Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s.

Zonja Klinton e falenderoi kryeministrin e Shqipërisë për kontributin e vendit të tij në Afganistan.

Sipas zyrtarit, në takim u diskutua rreth planeve amerikane për ta mbyllur objektin e paraburgimit në bazën Guantanamo si dhe për statusin e ardhshëm të personave që mbahen atje. Por zyrtari nuk tha nëse zonja Klinton i kishte kërkuar Shqipërisë që të pranojë më shumë ujgurë ose persona të tjerë që mbahen në Guantanamo, duke e quajtur këtë një çështje tepër sensitive.

Sipas zyrtarit, zoti Berisha falenderoi Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet që bënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se këto përpjekje ishin “jetike”.

Zoti Berisha i tha Sekretares së Shtetit se qeveria e Shqipërisë është e angazhuar për të luftuar krimin e organizuar që është një problem i madh në Shqipëri por se ka bërë “përparim të madh” në këtë aspekt.

Zyrtari tha se zonja Klinton kishte ngritur çështjen e zgjedhjeve të ardhëshme në Shqipëri “duke shprehur prokupim për sa i përket ndershmërisë në fushën e lojës”. Zoti Berisha, tha ai, e siguroi Sekretaren e Shtetit se do të bënte gjithçka të mundur që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta, duke ftuar vëzhgues dhe se do të “respektojë plotësisht vullnetin e popullit shqiptar”.

Zyrtari tha se zoti Berisha diskutoi në hollësi të konsiderueshme me zonjën Klinton mbi ligjin e dosjeve në Shqipëri. Sekretarja e Shtetit, sipas zyrtarit, tha se i vlerësonte sigurimet e dhëna nga zoti Berisha për këtë çështje. //ii

XS
SM
MD
LG