Lidhje

Kosova, nën vështrimin e ekspertëve amerikanë


Një vit më parë Kosova shpalli pavarësinë, duke u bërë shteti më i ri i botës. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon ta kundërshtojë.


Një vit pasi Kosova u bë shtet, analistët thonë se ka arsye për të festuar, por nga ana tjetër vendi vazhdon të përballet me sfida të vështira. Çarls Kupçan, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se ka lajme të mira dhe jo shumë të mira. Ai e vlerëson faktin që kalimi tek pavarësia ishte relativisht paqësor. “Unë mendoj gjithashtu se ka filluar të zërë vend një nivel normaliteti, duke pasur parasysh se janë marrë masat që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh, dhe Kombet e Bashkuara të kenë një rol më të vogël. Po ashtu shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë”.

54 vende e kanë njohur deri tani Kosovën. Mes atyre që nuk e kanë njohur, janë disa vende të BE-së. Ndërkohë Rusia që mbështeti Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë, nuk duket se do të ndryshojë qëndrim së shpejti. “Kjo do të thotë që vendi do të mbetet me një gjendje të papërcaktuar për disa kohë. Nuk do të ketë një vend në Kombet e Bashkuara, nuk do të gëzojë statusin e sovranitetit të plotë, si vendet e tjera. Kështuqë unë mendoj se koha do ta tregojë nëse pavarësia që Kosova e gëzon tani de jure do të marrë një vlerë de facto dhe do të njihet nga gjithë bota”.

Por Pol Uilliams, profesor në Universitetin Amerikan dhe Drejtor Ekzekutiv i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike, ka një këndvështrim më optimist. Ai thotë se populli dhe qeveria e Kosovës kanë bërë një punë të mirë dhe nuk duhet ta shohin veten sikur kanë një status të papërcaktuar. “Është shumë e qartë. Kosova është një vend i pavarur. I plotëson të gjitha kriteret. Është njohur nga një numër i mjaftueshëm shtetesh dhe Kosova duhet të vazhdojë rrugën si vend i pavarur. Mund të mos jetë njohur nga të gjitha vendet, mund të mos jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, por Kosova është shtet dhe ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një shteti të pavarur”.

Por profesor Uilliams e pranon se ka ende sfida të rëndësishme përpara. Pas një ankese të Serbisë, Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shprehet nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës përputhet me të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë, sipas shifrave të Bankës Botërore, 45 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën nivelin e varfërisë dhe 15 për qind e tyre jeton në varfëri të skajshme. Martin Sletzinger, Drejtor i Studimeve për Evropën Lindore në Qendrën Woodrow Wilson në Washington, thotë se Kosova është një zonë ende e ekspozuar ndaj rrezikut. “Asgjë nuk është zgjidhur nga pavarësia e Kosovës. Ne na duhet të mbajmë forca ndërkombëtare atje, jo vetëm për të mbrojtur pakicat, por në një farë mënyre edhe për të mbrojtur kosovarët nga vetvetja, ashtu si edhe pronat e kishave. E kam thënë shumë herë se ndërsa ata i afrohen pavarësisë së vërtetë, gjë që mendoj se është e pashmangshme, mendoj se kemi nevojë për më shumë trupa në kufij, kështuqë çfarëdo të ndodhë në Kosovë të mos prekë Maqedoninë dhe Malin e Zi”.

Marrëdhëniet mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë pothuajse nuk ekzistojnë. Zoti Kupçan thotë se çështja kryesore për Kosovën në të ardhmen e afërt është përmirësimi i institucioneve të qeverisjes. “Ata duhet të garantojnë mbrojtjen e pakicës serbe dhe objekteve fetare serbe, që ata serbë që vendosin të rrinë në Kosovë të ndjehen mirë, të kenë mundësi punësimi”.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan Denis Bler shprehej para disa ditësh në vlerësimin e përvitshëm të rreziqeve ndaj sigurisë, se ngjarjet në Ballkan paraqesin kërcënimin më të madh ndaj sigurisë së Evropës. Ai tha se sfida më e madhe është ajo e statusit të pazgjidhur të pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, si edhe problemet e vazhdueshme etnike në Bosnje-Hercegovinë. Sipas tij, sfida e Beogradit ndaj sovranitetit të Prishtinës ka krijuar në ndarje de facto të Kosovës. Profesori Williams thotë se frika e ndarjes është reale. “Të lejosh ndarjen e butë të një shteti të ri të pavarur, do të përbënte një precedent të rrezikshëm. Dhe unë mendoj se evropianët dhe amerikanët duhet të angazhohen plotësisht për ta frenuar një gjë të tillë”.

Por me problemet që ka aktualisht Amerika, si kriza financiare dhe dy luftra, Prishtina nuk është në listën e përparësive për Uashingtonin, dhe profesor Uilliams thotë se qeveria e Kosovës duhet të përpiqet për t’i angazhuar Shtetet e Bashkuara. “Ata duhet të kenë një strategji, të kenë lidhje dhe energji për të plotësuar atë që vjen pas pavarësisë. Ka akoma shumë arsye për të dëshiruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara, si anëtarësimi në OKB, marrëdhëniet tregëtare, nevoja për t’u kujdesur që evropianët të veprojnë siç duhet. Këto janë role të rëndësishme që duhet të luajë qeveria amerikane”. Por ekspertët thonë se Kosova po konkurron për vëmendjen amerikane me një numër vendesh të tjera, që kanë çështje dhe nevoja të ngjashme. //rd//

XS
SM
MD
LG