Lidhje

Presidenti Obama përfundon vizitën në Kanada


Presidenti amerikan Barak Obama ishte dje për një udhëtim të shkurtër në Kanada. Ky ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, njofton për takimin e tij me kryeministrin kanadez, Steven Harper, që u përqendrua në ekonominë globale në recesion, tregëtinë, energjinë, ambientin dhe të ardhmen e Afganistanit.


Takimi u zhvillua në një kohë të karakterizuar nga tensione globale, por të dy udhëheqësit nënvizuan pozitat e tyre të përbashkëta.

“Ekonomia dhe siguria jonë po provohen në mënyra të reja dhe sot unë dhe Kryeministri u përqendruam në disa nga këto sfida”, - tha zoti Obama.

Mes këtyre sfidave hyjnë ndihmat për ekonominë ndërkombëtare, mbrojtja e ambientit, dhe zhvillimi i strategjive të reja për Afganistanin.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Otava me kryeministrin Harper, presidenti Obama foli për tregtinë, si mënyrë për të nxitur zhvillimin ekonomik global. Ai u përpoq të largonte shqetësimet rreth proteksionizmit amerikan në kohën e recesionit.

“Unë i njoh shqetësimet e njerëzve në Kanada, sidomos kur kemi parasysh se sa e rendësishme është tregtia me Shtetet e Bashkuara për ekonominë kanadeze. Unë i dhashë garanci kryeministrit Harper se ne dëshirojmë të zhvillojmë më shumë tregëti mes nesh e jo ta zvogëlojmë atë.”

Kanadaja është partnerja më e madhe e tregëtisë për Shtetet e Bashkuara që kap një vlerë prej rreth 1 miliardë dollarë në ditë, përsa i përket tregëtisë ndërkufitare.

Kanadaja është po ashtu eksportuesja më e madhe e naftës dhe gazit natyror për Shtetet e Bashkuara—duke ia kaluar edhe Arabisë Saudite.

Shumica e naftës bruto në Kanada është e përzier me rërë dhe bitum. Ndarja e naftës nga rëra dhe bitumi bëhet me anë të një procesi, gjatë të cilit çlirohen sasi të mëdha të gazeve që shkaktojnë efektin serë.

Kryeministri kanadez Haper tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja do të fillojnë një iniciativë për të zhvilluar teknologji të reja për prodhimin e energjisë së pastër, të cilat do të ndihmojnë në parandalimin e ndotjes së ambientit të shkaktuara nga teknologjitë e tanishme të të dy vendeve.

“Ne po fillojmë një dialog amerikano-kanadez për energjinë e pastër, i cili parasheh angazhimin e zyrtarëve të lartë nga të dy vendet rreth zhvillimit të shkencës së energjisë dhe teknologjive të cilat do të zvogëlonin gazet e efektit serrë dhe do të luftonin ndryshimet klimatike.”

Të dy udhëheqësit po ashtu biseduan për Afganistanin. Megjithëse Kanadaja do të bëjë tërheqjën e trupave të saj nga Afganistani në vitin 2010, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa shtesë.

Presidenti Obama tha se ai nuk i kërkoi kryeministrit Harper për të rishqyrtuar pozitën e qeverisë kanadeze për Afganistanin.

“Unë nuk e nxita kryeministrin për premtime shtesë dhe jashtë asaj që Kanadaja ka bërë deri me tani. Unë e vlerësova Kanadanë jo vetëm për trupat që ka atje dhe për 108 ushtarët e vrarë si pasojë e angazhimit të saj në Afganistan, por edhe për faktin që Afganistani është vendi që merr sasinë më të madhe të ndihmave të dhuruara nga vende të huaja, pikërisht nga Kanadaja.”

Zotin Obama e pyetën kur dhe në se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe më shumë trupa shtesë, veç 17,000 trupave shtesë të njoftuara këtë javë. Ai u përgjigj se kjo varet nga përfundimet që do të dalin nga procesi i rishqyrtimit të politikave amerikane për Afganistanin.

“Pas këtij rishqyrtimi, i cili do të jetë gjithëpërfshirës, unë do të marr një raport dhe më pas do të jem më mirë në gjendje t’ju tregoj më shumë për drejtimin e politikave amerikane në Afganistan.”

Udhëtimi i presidentit Obama në Kanada ishte i shkurtër, ai zgjati më pak se shtatë orë. Por, ai u mirëprit me ngrohtësi në kryeqytetin e ftohtë të Kanadasë, të mbuluar më borë.

Kanadaja ka qenë historikisht udhëtimi i parë i presidentëve amerikanë të porsazgjedhur jashtë vendit. Me përjashtim të ish presidentit Xhorxh W. Bush, ish-guvernatori i shtetit të Teksasit, i cili për udhëtimin e tij të parë zgjodhi Meksikën.//ap

XS
SM
MD
LG