Lidhje

Rritet numri i krimeve me motive raciste në Rusi


Policia ruse njoftoi për një rritje të ndjeshme të numrit të krimeve me motive raciste gjatë vitit të kaluar, krime këto me objektiv kryesisht popujt e Kaukazeve dhe të Azisë qëndrore, të cilët shkojnë në Moskë dhe qytete të tjera në kërkim të punës. Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për një valë të re ksenofobie në Rusi, veçanërisht tani që ekonomia e vendit zhytet gjithnjë e më shumë në krizë.

27 vjeçari Noel Maganga nga Gaboni u qëllua me thikë në shpinë 7 herë dhe gati sa nuk vdiq në një rrugë të ngrirë, ndërsa dilte nga metroja e Moskës muajin e kaluar. Studenti i Universitetit të Miqësisë në Rusi, po kurohet në një klinikë të Moskës, duke kaluar nëpër procedura të dhimbshme.

Ai dyshon se sulmuesit e tij janë anëtarë të një grupi ultra-nacionalist rus, madje ai kërkon që qeveria të marrë masa.

“Siguria nuk është e garantuar 100 për qind në asnjë vend të botës, por unë do t’i kërkoja qeverisë ruse që të pranojë faktin se ekziston një agresion kundër të huajve, qofshin ata afrikanë apo aziatikë. Qeveria duhet të hetojë arsyet e këtij agresioni dhe të gjejë mënyra, ndoshta duke rekrutuar më shumë njerëz, për të garantuar sigurinë e të huajve në vend”.

Sipas qendrës kërkimore mbi marrëdhëniet mes racave me bazë në Moskë, "SOVA", 96 qytetarë jo-rusë u vranë vitin e kaluar dhe mbi 400 të tjerë u plagosën në sulme nga anëtarë të organizatave të ndryshme.

Alexander Verkhovsky, drejtor i qendrës "SOVA”, thotë se numri i krimeve që ka si motiv urrejtjen kalon numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve.

“Ekziston një disporporcion i madh. Dhe për këtë ka shumë arsye: nuk ka ligje të mjaftueshme, hetues profesionalë, madje në disa raste forcat policore solidarizohen në një farë mënyre me elementët neo-nazistë, duke preferuar të hetojnë krime të tjera në vend të krimeve kundër pakicave”.

Megjithatë disa krime të tilla ndëshkohen. Anëtarë të një grupi, i cili publikoi këtë video të sulmeve të tyre, u dënuan në dhjetor për vrasjen e 18 vetave, që të gjithë pakica.

Grupe nacionaliste shpesh publikojnë krimet e tyre në internet duke përdorur internet kafetë. Kjo video, për shembull, tregon me sa duket vrasësit e 2 punëtorëve emigrantë nga Azia qëndrore.

Shtimi i krimeve të urrejtjes në Rusi përkon me shtimin e numrit të punëtorëve emigrantë. Analistët thonë se 5 deri 12 milion emigrantë nga ish republikat sovjetike punojnë aktualisht në Rusi, shumica ilegalisht. Disa njerëz mendojnë se emigrantët ilegalë marrin vendet e punës nga qytetarët rusë.

Alison Gill, shefe e zyrës së organizatës Human Rights Watch në Moskë, thotë se autoritetet ruse përballen me vështirësi që të mbajnë nën kontroll veprimtaritë e grupeve nacionaliste.

“Mendoj se mund të thuhet me lehtësi se deri diku qeveria nuk di ku të fillojë kur bëhet fjalë për parandalimin e ndjenjave nacionaliste dhe të grupeve neo-naziste dhe të tjera kundër të huajve”.

Ajo thotë se vetëm në janar, në Moskë u identifikuan 16 krime me motive urrejtje, madje ajo shton se kjo shifër mund të shtohet, ndërsa ekonomia ruse zhytet më tej në recesion.

“Ne duhet të dëgjojmë qartazi nga qeveria se krenaria e vendit, krenaria e Rusisë nuk është e njëjtë me dhunën dhe urrejtjen kundër të tjerëve. Qeveria duhet të prononcohet se krimet, vrasjet dhe sulmet kundër të huajve nuk do të tolerohen”.

Por qeveria ruse ka qëndruar thuajse në heshtje për këtë çështje. Përkundrazi, në muajin dhjetor, kryeministri Vladimir Putin rekomandoi që numri i punëtorëve emigrantë nga ish republikat sovjetike, që punojnë në Rusi, të shkurtohet me 50 për qind, dhe kjo bëhet në përgjigje të krizës financiare në botë.//ek

XS
SM
MD
LG