Lidhje

Bien përsëri tregjet e aksioneve në SHBA dhe në Europë


Tregjet e aksioneve në të gjithë botën ranë përsëri të hënën ndërkohë që institucionet financiare deklaruan humbje të tjera të mëdha.

Bursat amerikane u mbyllën në shifra mjaft negative, disa prej tyre në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1997. Të tre indekset kryesore të bursës ranë katër përqind ose më shumë.

Aksionet në Shtetet e Bashkuara ranë pas lajmeve të mëngjesit se kompania gjigande e sigurimeve, American International Group, i njohur shkurtimisht me emrin AIG, humbi më shumë se 60 miliard dollarë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008. Departamenti amerikan i Thesarit shpalli një paketë shpëtimi të rishikuar për AIG, me premtimin se do t’i jepte firmës 30 miliard dollarë shtesë nëse kjo do të nevojitej në të ardhmen.

Çmimet e naftës ranë më tepër se 10 përqind dje në bursën e Nju Jorkut për shkak të shqetësimeve të investitorëve se recesioni do ta pakësojë më tej kërkesën për energji.

Në Europë, tregjet kryesore të aksioneve ranë pas deklarimit nga firma gjigande bankare HSBC se fitimet e saj neto në vitin 2008 pësuan një rënie prej rreth 70 përqind. HSBC njoftoi gjithashtu se ka nevojë për kapitale të reja me vlerë 18 miliard dollarë.

Treguesi i bursës së Londrës, Financial Times 100, ra në nivelin më të ulët të 6 viteve të fundit dhe u mbyll më pas me 5,3 përqind rënie.

Rënia e bursave vazhdoi edhe sot në Azi. Treguesi i bursës së Tokios, Nikkei u hap më shumë se 2 përqind më ulët se dje. //ii

XS
SM
MD
LG