Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton ndodhet në Bruksel, ku do të marrë sot pjesë në një takim ministerial të NATO-s. Korrespondentja e Zërit të Amerikës njofton nga Bruskeli se në qendër të diskutimeve pritet të jenë Afganistani dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton mbërriti në Bruksel pas tre ditë bisedimesh në Lindjen e Mesme. Kur ajo të takohet me homologët e saj të NATO-s, fokusi do të shpërqëndrohet disi, nga konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve, tek çështja e Afgansitanit dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Zëdhënësi i NATO-s Xhejms Aparthurai thotë se ministrat e Aleancës duan të dëgjojnë pikëpamjet amerikane lidhur me këto çështje.
"Një prej këtyre çështjeve është Afganistani, e ardhmja e angazhimit amerikan atje, si ndikon kjo dhe si do të ndikohet nga angazhimi i NATO-s. Çështja tjetër që do të diskutohet është Rusia, një vend për të cilin SHBA kanë një marrëdhënie shumë të rëndësishme bilaterale, që shkon përtej prizmin të NATO-s, por që ndikohet dhe ndikon tek marrëdhëniet mes NATO-n dhe Rusisë,"- tha ai.
Ministrat e NATO-s pritet të miratojnë rifillimin e kontakteve zyrtare të nivelit të lartë brenda kornizës së Këshillit NATO-Rusi.
Zëdhënësi i NATO-s, Apathurai thotë se kjo mund të ndodhë shpejt, megjithëse nuk është caktuar një datë.
"Ndjenja që mbizotëron në radhët së NATO-s, dhe kjo mund të varet shumë nga Federata Ruse, është se këto vende duan të kenë me Rusinë një takim të nivelit ministerial, shpejt a vonë,"- tha ai.
Kontakte të tilla u pezulluan gushtin e kaluar, pasi NATO e dënoi Rusinë për përdorimin e forcës ushtarake në luftën e tij me Gjeorgjinë dhe njohja nga Rusia e rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore si tërësi territoriale të pavarura.
Kjo është vizita e Parë e Hillari Klintonit në Bruksel, që kur u bë Sekretare Shteti. Një zyrtar i lartë amerikan tha se SHBA duan që Aleanca Atlantike të rifitojë energjinë e mëparshme dhe të ndërtojnë strategji të përbashkëta me aleatët evropianë. Takimi i NATO-s shihet si një rast i mirë për ta bërë një gjë të tillë.//lk