Lidhje

Afganistani mirëpret sinjalet e administrates Obama


Afganistani po mirëpret sinjalet e administratës Obama për një pajtim të mundshëm me elementë të moderuar të talebanit. Presidenti afgan, Hamid Karzai tha sot se komentet e zotit Obama mbi talebanët janë pozitive, pasi siç tha ai ripajtimi me talebanët është rruga që Afganistani të fitojë paqe dhe stabilitet. Duke folur me të përditshmen amerikane, "The New York Times" zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë të hapura ndaj mundësisë së vendosjes së kontakteve me elementë të moderuar të talebanëve në Afganistan dhe Pakistan. Presidenti e krahasoi këtë mundësi me arritjet amerikane në Irak, ku pala amerikane u shtriu dorën fondamentalistëve islamikë, të cilët ishin të pakënaqur me taktikat e ekstremistëve, si sulmet terroriste të Al Kaidës në Irak. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, na dërgoi këtë raport nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti gjendet në mes të procesit të shqyrtimit të detajuar të politikës amerikane për Afganistanin dhe ai ka lënë të kuptohet se pajtimi mund të luajë një rol të rëndësishëm në strategjinë e tij të re.

Gjatë një interviste dhënë të përditshmes amerikane, "The New York Times" zoti Obama e kishin pyetur në se ai do të konsideronte mundësinë e vendosjes së kontakteve me elementë të moderuar të Talebanit, në mënyrë të ngjashme, si me taktikën e sukseshme të ushtrisë amerikane të përdorur në Irak.

Zoti Obama tha se kjo gjë mund të jetë e mundshme, duke nënvizuar se programi i vendosjes së kontakteve me elementët fondamentalistë në Irak ndihmoi në ndryshimit e drejtimit të luftës atje.

Ai i dha këto komente gjatë udhëtimit të tij me aeroplanin presidencial, Air Force One, të cilat u regjistruan nga një gazetar i revistës “Times”.

“Në se flet me gjeneralin Petraeus, unë mendoj se ai do të thoshte se pjesë e arritjeve amerikane në Irak ishte kur pala amerikane u shtriu dorën fondamentalistëve islamikë, të cilët ishin të pakënaqur me taktikat e ekstremistëve, si sulmet terroriste të Al Kaedës në Irak.”

Presidenti Obama tha se mund të ketë mundësi të ngjashme në Afganistan dhe në rajonet fisnore në Pakistan, përgjatë kufirit afgan. Por ai nënvizoi se situata në Afganistan është shumë më e komplikuar se ajo në Irak.

“Atje është një rajon me më pak qeverisje, me një histori pavarësie të madhe mes fiseve. Këto fise janë të shumta dhe shpesh ato operojnë me synime të ndërsjella, kështu që për të kuptuar këto ndërlidhje do të jetë më shumë se një sfidë.”

Komentet e zotit Obama u mirëpriten nga Presidenti afgan, Hamid Karzai, i cili ka kohë që ka përkrahur pajtimin me elementë të moderuar të Talebanit. Por zoti Karzai, nënvizoi se nuk mund të ketë dialog me elementet e Talebanit të cilat përkrahin al-Kaidën.

Dhuna në Afganistan është në normën më të lartë që nga largimi i Talebanit në fund të vitit 2001. Presidenti Obama lajmëroi muajin e kaluar se 17,000 trupa amerikane shtesë do të dërgohen në Afganistan.

Kur zoti Obama u pyet nga gazetari i “New York Times”, ne se Shtetet e Bashkuara po e fitojnë luftën në Afganistan, ai ju përgjigj “Jo”, duke shtuar se trupat amerikane janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në një situatë shumë të vështirë. Ai tha se kushtet janë përkeqësuar që nga viti i kaluar, pasi Talebani ka shfaqur më tepër guxim dhe qeveria afgane ende nuk ka arritur të fitojë besimin e njerëzve.//ap.


XS
SM
MD
LG