Lidhje

Kriza ekonomike kërkon veprime të bashkërenduara botërore


Shtetet e Bashkuara thonë se recesioni global po thellohet dhe i bëri thirrje aleatëve të saj kryesorë të mbështesin programe të fuqishme stimuluese për t’iu kundërvënë krizës financiare. Dje, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barak Obama tha se objektivat amerikane për një takim ekonomik në prill përfshijnë veprimet e bashkërenduara në të gjithë globin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe arritjen e konsensusit për reformat rregullatore. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gaitner bëri thirrje dje për masa të fuqishme dhe të bashkërenduara për ndalimin e krizës ekonomike nga 20 vendet me ekonomitë më të zhvilluara, udhëheqësit e të cilëve do të takohen në Londër muajin e ardhshëm.

Gjatë një takimi me presidentin Obama, zoti Gaitner tha se duhet të merren masa të bashkërenduara për të nxitur rritjen e ekonomisë botërore, e cila është përfshirë në rënien më të thellë prej 60 vjetësh. Ai tha se grupi i 20 ekonomive më të zhvilluara, të cilat përbëjnë 80 përqind të prodhimit global, duhet të marrin masa të bashkërenduara për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ruajtur sistemet e tyre financiare.

Zoti Gaitner sugjeroi që Fondit Monetar Ndërkombëtar, huadhënës global i cili u përket 190 vendeve të tij anëtare, duhet t’i jepen më shumë burime për të ndihmuar vendet në krizë. Ai tha se FMN-ja duhet të mbikqyrë përparimin e vendeve të Grupi të 20-shes në zbatimin e masave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ne duam të arrijmë një konsensus global për mënyrën si të forcojmë sistemin financiar botëror dhe që një krizë e tillë të mos ndodhë më. Ka pasur shumë biseda dhe ide gjatë dy viteve të fundit për këto dy çështje. Tani është koha që të punojmë së bashku për të krijuar një kornizë më të fuqishme reformash".

Grupi i 20-shes përbëhet nga shtatë vendet më të industrializuara plus Rusinë, Kinën, Indinë, Brazilin, Afrikën Jugore dhe disa vende të tjera në zhvillim. Udhëheqësit e këtyre vendeve zhvilluan takimin e tyre të parë emergjent në Uashington në nëntor dhe ranë dakort të takohen përsëri në prill.

Analisti Mark Zandi nga Moody’s Economy.com thotë se takimi i G 20-ës është shumë i rëndësishëm meqenëse thuajse e gjithë bota është në recesion.

“Thuajse çdo vend në këtë planet është në recesion. Ekonomitë e zhvilluara po goditen më rëndë. Evropa pati një rënie prej 6 për qind gjatë tre-mujorit të katërt. Ekonomia japoneze ra me 12 për qind. Ndërsa Shtetet e Bashkuara patën një rënie prej 6 për qind. Edhe në ekonomitë në rritje e sipër, problemet po intensifikohen. Madje edhe Kina dhe India janë prekur rëndë".


Sekretari i Thesarit, Gaitner tha se vendet e G-20-ës janë të përkushtuara të bëjnë ç’është e nevojshme për ta vënë ekonominë botërore përsëri në lëvizje. //ek

XS
SM
MD
LG