Lidhje

Kosovë: Autoritetet, mos politizohen problemet e jetës së përditshme


Autoritetet në Kosovë përsëritën sot përkushtimin që vendit të jetë një shtet demokratik e shumetnik, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve të të gjitha komuniteteve që të jenë pjesë e proceseve integruese.

Në një takim të Këshillit Konsultativ për komunitetet, presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha se asnjë nga problemet e jetës së përditshme nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike. Qindra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan sërish sot në fshatin Shillovë të komunës së Gjilanit, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Përfaqësuesit e serbëve lokal i akuzuan autoritetet për trysni politike nëpërmjet ndërprerjes së energjisë elektrike.

Por, zyrtarët e korporatës energjetike të Kosovës thonë se mungesa e energjisë është pasojë e borxheve të pashlyera të qytetarëve dhe nuk ka të bëjë asgjë me përkatësinë etnike të tyre. Edhe presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha se është detyrë e secilit të shlyejë faturat për energjinë e shpenzuar.

“Kjo të mos jetë asnjëherë e kuptuar si pjesë e shkaseve për të pasur situata të tjera, për të ngritur tensione dhe forma të tjera të manifestimeve që marrin karakterin e reagimeve politike të çfarëdo forme. Unë s’mund të gjej asnjë vend në botë që dikush mund të shfrytëzojë rrymën elektrike e dikush të mos paguaj e dikush të paguaj. Rryma do të jetë më e lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, kur të gjithë të paguajnë”, tha presidenti Sejdiu

Shkalla e pagesës së energjisë elektrike në Kosovë ka qenë shumë e ultë që nga përfundim i luftës, posaçërisht në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët nuk pranojnë të bëjnë marrëveshje me institucionet e vendit për të gjetur rrugët më të lehta të shlyerjes së borxheve, meqë nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës e rrjedhimisht as institucionet e vendit.

Udhëheqës të këtyre të fundit thanë sot se janë të vendosur të ndërtojnë një shoqëri shumetnike. Në këtë kuadër qeveria e Kosovës miratoi projekt në vlerë prej gjysmë milioni euro, për rindërtimin e shtëpive të 29 familjeve të komuniteteve të ndryshme në komunën e Novobërdës, 13 prej të cilave për familjet e komuniteteve romë, shkali e egjiptas, tetë për ato të komunitetit shqiptarë dhe tetë për komunitetin serb. (ze)

XS
SM
MD
LG