Lidhje

Muzeumi Amerikan i Energjisë së Erës në Lubok të Teksasit


Një nga burimet kryesore të energjisë që është në zhvillim sot është energjia e erës, që përftohet nga përdorimi i turbinave gjigande që e kthejnë atë në energji elektrike. Kjo jep rezultatin më të mirë në zona me erëra si Pllajat e Mëdha të Shteteve të Bashkuara që shtrihen nga perëndimi i shtetit Teksas në jug deri në Dakotat në veri. Energjia e erës nuk është diçka e re në këtë rajon, ku mullinjtë e erës kanë luajtur një rol të rëndërishëm prej kohësh për të nxjerrë ujë nga nëntoka për bluarjen e drithit. Historinë e energjisë së erës mund ta gjeni në Qendrën dhe Muzeumin Amerikan të Energjisë së Erës në Lubok të Teksasit. Korrespondenti ynë Greg Flekus na jep hollësi.

Mullinjtë e erës shiheshin dikur pothuajse në çdo fermë dhe vadhë në rajonet qendrore të Amerikës. Zgjerimi i shërbimit elektrik dhe përdorimi i pompave elektrike solli fundin e epokës së mullinjve të erës, por vizitorët ende mund të shikojnë dhjetra nga këto mjete klasike në Qendrën e Energjisë së Erës.

Rreth 90 mullinj ere të përmasve dhe tipeve të ndryshme mund t’i shikosh në ndërtesën gjigande të muzeumit në Lubok të Teksasit. Drejtori ekzekutiv, Koi Heris thotë se makineritë që punojnë me forcën e erës kanë mjaft kuptim në këtë zonë të Teksasit perëndimor.

"Këtu ka shumë erë dhe është për të ardhur keq që shikon vetëm pluhur. Do të ishte mirë të bënim diçka për këtë”.

Vetë Qendra për Energjinë e Erës e përfton energjinë që i duhet nga një turbinë ere në majë të një kulle 50 metra të lartë. Në ditët me erë të fortë, turbina prodhon më shumë elektricitet se sa i duhet qendrës dhe teprica i shitet një kompanie lokale të energjisë.

Në ditët kur turbina nuk prodhon energji, qendra e merr energjinë nga rrjeti lokal. Por meqë era nuk është e përherëshme, Koi Heris thotë se qytetet dhe fshatrat nuk mund të mbështeten krejtësisht tek energjia e saj.

"Ata duhet të kenë edhe uzina me qymyrguri dhe gjithçka tjetër, sepse njerëzit kanë nevojë për energji edhe kur nuk fryn erë”.

Drejtori i Qendrës amerikane për Energjinë e erës, Glen Pejtën thotë se energjia e përftuar nga era krijon mundësi të mëdha, por është pjesërisht e kufizuar për shkak të infrastrukturës së vjetëruar.

"Problemi është se ne kemi një rrjet shpërndarës që në disa zona daton në vitit 40, 50 dhe 60, dhe ky rrjet nuk e mban energjinë e krijuar nga turbina e erës”.

Por fermat që përdorin energjinë e erës po funksionojnë me sukses në shumë zona të pjesës perëndimore të Teksasit, përfshirë një uzinë për përpunimin e pambukut pranë Lubokut. Janë bërë gjithashtu plane për furnizimin me energjinë e erës të fermave në Gjirin e Meksikës, një tjetër zonë me erëra, jo shumë larg zonave urbane si Hjustoni dhe San Antonio.

Plane të tjera janë hartuar në Teksas dhe gjetkë për të lidhur fermat që shfrytëzojnë energjinë e erës me rrjetin e qyteteve të largëta ku kërkesa për energji është e madhe.

T. Bone Pikens, i cili ka nxjerrë fitime miliarda dollarëshe në industrinë e naftës dhe të gazit, po investon tani ndjeshëm në energjinë e erës. Pikens parashikon se mbi 20 përqind e energjisë elektrike të Shteteve të Bashkuara në vitit e ardhëshme mund të prodhohet nga era.

Qëllimi i tij është të lidhë trubinat në rajonin perëndimor të Teksasit me rrjetin e zonës metropolitane Dallas - Fort Worth, por të paktën një pjesë e planit të tij ka mbetur prapa për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe gazit që e bëjnë energjinë e erës më pak ekonomike. Glen Pejtën thotë se individët novatorë përdorën me efikasitet mullinjtë e erës, këtë mjet të thjeshtë por elegant, më shumë se një shekull më parë.

Ai thotë se novacione të tilla sot mund ta bëjnë energjinë e erës një burim të rëndësishëm krahas burimeve të tjera të energjisë së të ardhmes në Amerikë. //bsa//

XS
SM
MD
LG