Lidhje

SHBA: Plane për pastrimin e bankave nga kreditë e këqia


Administrata e Presidentit Obama njoftoi hollësitë e një plani që synon të eliminojë deri në 1 trilion dollarë asete problematike nga bilancet e bankave amerikane.

Presidenti Obama tha dje se kjo nismë e re do të jetë një partneritet mes qeverisë dhe investuesve privatë dhe se qëllimi është që të zhbllokohet krediti bankar.

Sipas këtij plani, qeveria do të përdorë 100 miliard dollarë nga fondi ekzistues i ngritur për shpëtimin e sektorit financiar, para që do të shërbejnë për të dhënë garanci dhe kredi me interes të ulët për ata që janë gati të blejnë këto asete.

Analistët thonë se duke përfshirë në këtë plan invetues privatë, qeveria do të jetë në gjendje të vlerësojë më mirë natyrën e vërtetë të aseteve problematike dhe se këta investues janë të interesuar personalisht për të fituar vetë.

Kritikët, duke përfshirë disa ligjvënës republikanë, thonë se ky plan do të favorizonte investuesit në vend të taksapaguesve.

Njoftimi për planin e ri bëri që bursa e Nju Jorkut të rritej 7 përqind brenda ditës së djeshme. Edhe bursat në Europë si dhe në Azi patën rritje.

Zoti Obama i bëri komentet pas një takimi me Sekretarin e Thesarit Timothy Geithner, drejtorin e Bankës Qendrore Ben Bernanke dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij ekonomik. //ii

XS
SM
MD
LG