Lidhje

Prishtina: Shkurtimi i KFOR-it në pajtim me gjendjen e sigurisë


Autoritetet në Kosovë thanë se shkurtimi i trupave të NATO-s duhet të ndodhë në pajtim me gjendjen e sigurisë në vend, duke e cilësuar atë të qetë dhe të qëndrueshme. Komentet e tyre pasuan paralajmërimet e disa vendeve për mundësinë e shkurtimit të pranisë së tyre ushtarake në Kosovë. Pas Britanisë së Madhe, Gjermanisë e Spanjës, edhe Lituania ka paralajmëruar shkurtimin e trupave në kuadër të KFOR-it. Në të gjitha paralajmërimet e deritanishme për shkurtim të mundshëm të trupave të KFOR-it, thuhet se kjo pasqyron rrethanat e ndryshuara në Kosovë, posaçërisht përmirësimin e gjendjes së sigurisë.

Një vlerësim të tillë e kanë bërë edhe udhëheqësit e Kosovës. “Për ne është me rëndësi se ne do të vazhdojmë me proceset tona të zhvillimeve të mira në Kosovë dhe natyrisht është shumë me rëndësi se paqja dhe stabiliteti janë mbizotëruese në Kosovë”, tha Presidenti Fatmir Sejdiu.

”Në Kosovë menjëherë pas luftës kanë ardhur rreth 50 mijë trupa ndërsa sot Kosova është shtet I pavarur, Sovran dhe demokratik, ka rend, qetësi, ka stabilitet, ka bashkëpunim rajonal, ka perspektivë euroatlantike, prandaj është krejt normal një reduktim I mjaftueshëm, por në të njëjtën kohë edhe I menaxhueshëm”, tha kryeministri Hashim Thaci.

Aktualisht mbi 14 mijë ushtarë të KFOR-it nga 33 vende të ndryshme të botës kujdesen për sigurinë në Kosovë së bashku me afro 10 mijë policë vendas dhe ndërkombëtarë.

NATO-ja është duke stërvitur edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila do të ketë 2 mijë e 500 pjesëtarë të armatosur lehtë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Themelimi i kësaj force kundërshtohet ashpër nga Beogradi, i cili u ka bërë thirrje edhe pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e kësaj force.

Autoritetet thanë se shteti i ri është duke ndërtuar një forcë që mbron vendin dhe garanton qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa u kanë bërë thirrje zyrtarëve të NATO-s që shkurtimi i pranisë së KFOR-it të ndodhë krahas rritjes së përgjegjësive të Forcës së Sigurisë.

Komandanti i kësaj force Suljeman Selimi thotë se numri aktual i trupave të NATO-s është i mjaftueshëm për sigurinë e vendit.

“Ne e dimë se kapacitetet ende FSK-ja nuk i ka dhe është duke u përgatitur, por besoj se është gjendje e qetë, gjendje e mirë dhe besoj që ky numër është i mjaftueshëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, tha zoti Selimi.

Debati rreth shkurtimit të mundshëm të trupave ndodhë në dhjetë vjetorin e fillimit të fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë. //bsa//

XS
SM
MD
LG