Lidhje

Hollësi të reja mbi burgjet sekrete të CIA-s jashtë Amerikës


Kohët e fundit janë zbuluar hollësi të reja mbi akuzat për tortura nga të burgosur të rëndësishëm, të mbajtur në burgjet sekrete të CIA-s jashtë Shteteve të Bashkuara. Tregimet e tyre kanë ndezur debate se çfarë duhet të bëjë administrata e presidentit Obama për të hetuar politikat e burgosjes të ish presidentit Bush. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sindi Sein njofton nga Uashingtoni.

Shkrimtari dhe gazetari Mark Dejner nuk e thotë se si i ka rënë në dorë dokumenti i vitit 2007 i Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili ishte vetëm për zyrtarët e lartë të administratës së presidentit Bush.

Javën e kaluar, The New York Review of Books publikoi pjesë të intervistave të ekspertëve të Komisionit me 14 të burgosur, në një artikull të shkruar nga zoti Dejner, i cili thotë se të bien në sy ngjashmëritë e deklaratave të të burgosurve.

“Ajo që Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vë në dukje në raportin e tij është se megjithëse të burgosurit ishin mbajtur të izoluar, dhe nuk kishin pasur kontakt me njeri, përveç personave që i merrnin në pyetje, tregimet e tyre kishin ngjashmëri si në përgjithësi ashtu edhe në hollësitë e përshkruara.”

Zoti Dejner, i cili është autor i librit “Tortura dhe e Vërteta” thotë se akuzat iu paraqitën Komisionit pasi të burgosurit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Gjirin Guantanamo të Kubës në vitin 2006.

Zoti Dejner përshkruan tregimet e të burgosurve për vendet e ndryshme ku ishin mbajtur.

“Të burgosurit mbaheshin lakuriq për javë me radhë, apo muaj. Mbaheshin në qeli shumë të vogla, temperaturat e të cilave uleshin deri në atë pikë sa, sipas një zyrtari, ngjyra e lëkurës e të burgosurve të zhveshur maviosej.”

Një nga të dyshuarit kryesorë të kapur pas 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara ishte një palestinez i lindur në Arabinë Saudite i njohur si Abu Zubaida.

Mark Dejner përshkruan teknikat e marrjes në pyetje, bazuar në tregimet e zotit Zubaida dhe të të burgosurve të tjerë.

“Ata lidheshin në një vend. Abu Zubaida ishte prangosur në një karrike për tre javë pa lëvizur deri sa këmbët i ishin bërë me flluska”.

Zoti Dejner thotë se agjentët e CIA-s ishin përpjekur ta mbanin zotin Zubaida zgjuar gjatë të tre javëve që ai kishte qenë i lidhur në karrike duke i hedhur ujë në fytyrë nëse flinte. Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se të 14 të burgosurit ishin lënë pa gjumë, ishin rrahur dhe zhytur në ujë dhe se të gjithë ata ishin përplasur në mur vazhdimisht.
Raporti arrinte në përfundimin se këto veprime përbëjnë torturë dhe trajtim mizor, jonjerëzor dhe degradues.

Komisioni me bazë në Zvicër, organizatë neutrale, nuk e ka mohuar raportin të cilit i referohet zoti Dejner, por thotë se është i zhgënjyer që ky raport është bërë publik në një kohë që duhet të ishte i fshehtë. Komisioni Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është përgjegjës që vendet t’i përmbahen Konventës së Gjenevës.

Raporti ka nxitur organizatën ACLU t’i bëjë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Presidentit Obama, Erik Holder, të caktojë një prokuror të pavarur për të hetuar akuzat.

“Këto konfirmojnë zyrtarisht atë që ne e kemi ditur prej ca kohe, pra që ka pasur torturime. Tani e dimë sepse raporti i Komisionit të Kryqit të Kuq ka pasur qasje të drejtpërdrejtë tek të burgosurit që u janë nënshtruar procedurave alternative, siç janë quajtur ato, të administratës së presidentit Bush”.

Gjatë mandatit të tij, presidenti Bush e pranoi se CIA kishte përdorur, sipas fjalëve të tij, procedura alternative, ndaj një grupi të vogël të udhëheqësish dhe operativësh të dyshuar terroristë në disa vende jashtë Amerikës. Zoti Bush e përmendi Abu Zubaidën me emër dhe këmbënguli që procedurat ishin të ligjshme.

Përveç organizatës ACLU, disa gazeta dhe organizata të njohura për të drejtat e njeriut po i bëjnë thirrje administratës së presidentit Obama dhe Kongresit të hetojnë trajtimin e të burgosurve në Gjirin Guantanamo dhe në burgje të tjera që nga viti 2001.

I pyetur për mundësinë e hapjes së hetimeve, presidenti Obama tha se kushdo që ka kryer krime duhet të ndiqet penalisht, por se ai do të përqendrohet të ecë përpara dhe jo pas.
Revista Newsweek njoftoi të hënën se presidenti Obama po përpiqet të publikojë tre memorandume të Departamantit të Drejtësisë gjatë administratës së presidentit Bush të cilat do të përshkruajnë në vija të trasha teknikat e marrjes në pyetje të terroristëve të dyshuar për herë të parë.//ap.

XS
SM
MD
LG