Lidhje

Kosovë: Ndikimi i krizës ekonomike botërore


Autoritetet në Prishtinë thonë se, nga të gjitha vendet e rajonit, Kosova do të ndikohet më pak nga kriza ekonomike botërore. Ekspertët ndërkaq, tërheqin vërejtjen se pasojat më të mëdha të kësaj krize do të mund të vërehen në gjysmën e dytë të vitit.

Autoritetet në Kosovë thonë se kriza botërore financiare nuk ka ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, por ekspertë të ekonomisë thonë se pasojat e krizës financiare do të mund të vërehen në masë më të madhe në gjysmën e dytë të vitit.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ndërmarrë masa për parandalimin e mundshëm të ndikimeve të kësaj krize. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala thotë se masat janë ndërmarrë nëpërmjet rezervave fiskale në pajtim me sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe hapjen e dyerve të sektorit privat në sektorin publik.

Por, ai tërheq vërejtjen se kriza ekonomike botërore mund të ndikojë në investimet e huaja në Kosovë, ndonëse nënvizon se vendi vazhdon të mbetet i sigurt për investim.

“Nëse dikush mund të mbetet vendi me më së paku ndikim negativ nga kriza ekonomike në rajon do të jetë Kosova. Fatmirësisht deri më tani, aspekti i bankave është monitoruar dhe është duke performuar mjaftë mirë. Të gjithë parametrat e deritanishëm, tregojnë për një qëndrueshmëri të sistemit bankar, të remitencave dhe të depozitave."

Ekspertë të ekonomisë thonë se tashmë kanë filluar të vërehen shenjat e para të krizës botërore edhe në Kosovë. Kryetari I Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, tërheq vërejtjen se ndikimet më të mëdha të krizës botërore priten në gjysmën e dytë të viti

“ Sipas vlerësimeve tona, pjesa tjetër që do të jetë më e fuqishme do të jetë diku në shtator, për shkak se atëherë do ta dimë se sa do të kemi dërgesa nga diaspora."

“Në vitin e kaluar nga diaspora kemi pasur rreth 600 milion dërgesa, dhe duke marrë parasysh se në vendet evropiane, ku diaspora jonë është shumë e fuqishme, ka pasur dhe vazhdon të ketë rënie ekonomike, kjo do të jetë një ndër kanalet të cilat mund ta godasin Kosovën në fushën e krizës ekonomike globale”, thotë zoti Beqaj. //mm//

XS
SM
MD
LG