Lidhje

Shefi ekzekutiv i firmës "General Motors" jep dorëheqjen


Presidenti Barak Obama tha se dy kompanitë e prodhimit të makinave që morën miliarda dollarë hua emergjente nuk kanë bërë ndryshime të mjaftueshme që të justifikojnë vazhdimin e ndihmës nga qeveria.

Ai i kërkoi kreut të kompanisë General Motors të japë dorëheqjen dhe i vuri një afat 60-ditor firmës të hartojë një plan më të mirë ndryshimesh.

Presidenti tha se prodhuesi i tretë më i madh amerikan i makinave, Chrysler, është edhe më i dobët dhe nuk mund të mbijetojë pa hyrë në partneritet. Presidenti i dha Chrysler-it 30 ditë për të arritur një marrëveshjeve partneriteti me kompaninë italiane Fiat.

Menjëherë pas komenteve të Presidentit Obama, zyrtarët e Chrysler-it thanë se kishin arritur një marrëveshje kornizë me Fiat-in.

Presidenti shtroi edhe mundësinë që kompanitë amerikane të makinave të kalojnë në një farë forme falimentimi që do t’u krijonte mundësi të çliroheshin nga një pjesë e borxheve, të riorganizoheshin dhe pastaj të vazhdonin punën.

Firma General Motors tha se ish drejtori ekzekutiv i saj, Rik Uagner do të zëvendësohet nga Fric Henderson, President dhe shef i operacioneve të GM. Zyrtarët e kompanisë thanë gjithashtu se do të zëvendësojnë pjesën më të madhe të anëtarëve të bordit drejtues.

Xhenifer Granholm, guvernatore e shtetit Miçigan ku ka edhe bazën industria amerikane e automobilëve, tha se zoti Uagner u sakrifikua dhe se ai ra dakord të japë dorëheqjen për të mirën e kompanisë dhe punëtorëve të saj.

General Motos dhe Chrysler deri tani kanë marrë më tepër se 17 miliard dollarë në formë huash qeveritare dhe kanë kërkuar 21 miliard dollarë të tjerë. Prodhuesi i tretë amerikan i makinave, Ford, nuk ka kërkuar ndihmë qeveritare.

Presidenti Obama tha dje në programin televiziv “Face the Nation” se prodhuesit e automobilave duhet të punojnë më tepër, në se dëshirojnë fonde shtesë nga qeveria. Ai tha se kjo nënkupton që të gjitha palët, duke përfshirë edhe menaxherët, punëtorët dhe investitorët, duhet të sakrifikojnë.

Presidenti shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara mund të kenë një industri të sukseshme automobilash, por ai tha se ajo duhet të ndihmohet të tejkalojë vështirësitë ekonomike. (ze)

XS
SM
MD
LG